Institucioni

Institucioni > Lajme >

DPT trajnim me studentët e ekselencës, inkurajohen të japin kontributin për rritjen e standardeve në administratë

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve zhvilloi një trajnim me 48 studentët e ekselencës, të cilët janë të punësuar pranë administratës tatimore, për t’i njohur me vlerat, objektivat, vizionin e institucionit si edhe me legjislacionin tatimor bazë.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve z. Enton Duro, i cili i falënderoi studentët për pjesëmarrjen dhe i ftoi të japin kontibutin e tyre për të çuar përpara reformat që po ndërmerren për modernizimin e administratës tatimore.

“Institucioni ku jeni punësuar ka një rëndësi të veçantë në financat publike, ndaj ka nevojë për integritet të lartë dhe për standarde, në mënyrë që t’i shërbejmë denjësisht tatimpaguesve dhe qytetarëve”, tha z.Duro.

Besimi, tha Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve gjatë fjalës së tij, është një nga elementët bazë në konsolidimin institucional dhe për forcimin e tij duhen instrumente efikase.  “ Në mënyrë që të ndërtojmë një model të qendrueshëm edhe të suksessëm, duhet të kemi inputet e duhura. Kemi nevojë të ndërgjegjësojmë publikun se jemi në shërbim të tyre dhe ju si studentë të ekselencës duhet të kontribuoni me  njohuritë dhe dijet tuaja për të përmirësuar më tej punën tonë”, tha z. Duro.

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve nënvizoi gjithashtu nevojën për të forcuar kapacitet në luftën kundër informalitetit  dhe për të rritur më tej transparencën me tatimpaguesit dhe publikun.