Institucioni

Institucioni > Lajme >

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve merr pjesë në Forumin e Biznesit të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, z. Xhavit Çurri, si dhe drejtues të tjerë të lartë të DPT-së morën pjesë në Forumin e Biznesit të zhvilluar sot, një takim i përvitshëm ky i thirrur nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.

Fjala hyrëse u mbajt nga Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, z. Mark Crawford, ndërsa znj. Alketa Uruçi në cilësinë e Kryetares së Komitetit të Taksave prezantoi disa çështje të cilat shqetësojnë anëtarët e dhomës lidhur me  rimbursimin e TVSH-së, konkurrencën e pandershme, evazionin fiskal, ndryshimet më të fundit ligjore, lehtësimin e barrës fiskale, unifikimin e procedurave dhe vendimeve teknike, uljen e kostove administrative për biznesin etj..

Zëvendësdrejtori i Përgjithshme i Tatimeve, z. Xhavit Çurri bëri një paraqitje të ecurisë pozitive  të veprimtarisë së Administratës Tatimore dhe marrëdhënies së ndërsjelltë me biznesin gjatë vitit 2018. Ai ndau me pjesëmarrësit arritjet domethënëse, reformat që po ndërmerren për modernizimin e administratës, rritjes së cilësisë së shërbimeve, si dhe uljen e kostove administrative për biznesin.  

"Viti 2018 ishte pozitiv për administratën tatimore, e cila jo vetëm realizoi programin vjetor të të ardhurave për buxhetin e shtetit, por mbi të gjitha arriti të realizonte treguesit më kryesorë të performancës që lidhen me shërbimin e tatimpaguesve, përzgjedhjen  për kontroll me bazë risku, përmirësimin e cilësisë së kontrolleve tatimore, luftën kundër informalitetit, mbledhjen e detyrimeve të prapambetura etj.”, tha z.Çurri. 

Më tej z.Çurri u ndal tek objektivat kryesorë të planit shtategjik që po ndjek Administrata Tatimore dhe që lidhen me përmirësimin e nivelit të përmbushjes tatimore, rritjen e të ardhurave tatimore, sigurimin e shërbimeve sa më cilësore për tatimpaguesit, si dhe ndërgjegjësimin e tyre për të respektuar legjislacionin tatimor.

Një vëmendje të veçantë në fjalën e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshme pati puna që po bëhet për të modernizuar sistemin informatik tatimor, i cili përbën një zhvillim historik tepër të rëndësishëm në funksion të rritjes së pajtueshmërisë dhe përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Gjithashtu z.Çurri u ndal edhe te një çështje e rëndësishme që u ngrit nga anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë siç ishte rimbursimi i TVSH-së, për të cilën ai tha se DPT ka punuar për të siguruar një kuadër të plotë rregullator me qëllim lehtësimin e zbatimit dhe unifikimin e procedurave. “Një dokument i rëndësishëm në këtë proces është edhe ‘Rregullorja e rimbursimit të TVSH-së’ e mbështetur në analizën e riskut, qëllimi i së cilës është vendosja e rregullave dhe procedurave që duhet të ndjekin të gjitha strukturat e Administratës Tatimore”, tha z. Çurri, në fjalën e tij.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshme i Tatimeve konfirmoi angazhimin e DPT-së për të gjetur zgjidhje të përbashkëta për çdo problematikë të biznesit, duke rekomanduar zhvillimin e takimeve në nivel ekspertësh që çështjet të adresohen e të zgjidhen në kohë.