Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë zhvilloi një takim informues me tatimpaguesit për prezantimin e ndryshimeve të legjislacionit tatimor, me hyrjen në fuqi të Paketës Fiskale 2019.
Ndryshimet kryesore ligjore kanë të bëjnë kryesisht me: Procedurat Tatimore, Tatimin mbi të Ardhurat, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, si dhe Taksat Kombëtare.
Gjatë takimit, drejtuesit e Zyrës së Shërbimit të Tatimpaguesit dhe përfaqësues të DPT-së theksuan se të gjitha ndryshimet ligjore dhe ato që janë në proces hartimi (aktet nënligjore/ udhëzimet) do të mund t’i gjejnë në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Tatimpaguesit do të informohen dhe do të asistohen në çdo kohë jo vetëm nga punonjësit e zyrave të Shërbimit të Tatimpaguesit, por edhe përmes Qendrës së Thirrjeve e cila mund të kontaktohet në numrin pa pagesë 0800 00 02, si dhe përmes shërbimit Live Chat në faqen www.tatime.gov.al.
Në vazhdimësi, në DRT-të kryesore do të zhvillohen takime informuese me biznesin, ndërsa do të ofrohen edhe trajnime nga ekspertët më të mirë të Administratës Tatimore për të kuptuar drejt dhe sa më mirë të gjitha ndryshimet ligjore të Paketës Fiskale 2019.