Institucioni

Institucioni > Lajme >

DPT takim përmbyllës me FMN, vlerësohet progresi për modernizimin e sistemit

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve z. Xhavit Çurri zhvilloi takimin përmbyllës me misionin e asistencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar. Misioni i FMN-së i drejtuar nga z. Steve Vesperman, Këshilltar i Asistencës Teknike, përbëhej nga z.Allan Jensen ekspert i FMN-së për rajonin e Europës Juglindore, si dhe ekspertët e tjerë të jashtëm z.Michael O’Grady, z.Paul Duffus dhe znj. Telita Snyckers- Norgaard.

Gjatë fjalës së tij, z.Çurri falënderoi misionin e FMN-së për bashkëpunimin dhe ndihmën që po japin në vijimin e reformave te ndermarra për modernizimin e sistemit tatimor.  DPT, tha z.Çurri, tashmë ka tregues konkretë se reformat bazë, si ajo e rritjes profesionale të burimeve njerëzore, e përmirësimit të vazhdueshëm të proceseve të punës përsa i takon menaxhimit të riskut të permbushjes, rritjes së kapaciteteve për kontrolle cilësore, efiksatetit të mbledhjes se borxhit, fuqizimit të teknologjisë së informacionit, të cilat po japin rezultatet e duhura.

Nga ana e tij z.Vesperman, vlerësoi progresin e bërë nga Administrata Tatimore në drejtim të reformimit të saj, si dhe ecurinë pozitive të treguesve fiskalë. Ai theksoi nevojën për të çuar më tej reformat e nisura me qëllim arritjen e standardeve më të larta.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mbetet e angazhuar për të vijuar procesin reformues, të parashikuar në planin e saj strategjik, i cili do të sigurojë përafrimin me praktikat më të mira ndërkombëtare, përmirësimin e treguesve të perfomancës, rritjen e nivelit te  përmbushjen vullnetare të tatimpaguesve dhe reduktimin e evazionit fiskal.

Gjatë qëndrimit dy javor në Tiranë, misioni i FMN-së zhvilloi takime për çështje të ndryshme me drejtoritë përkatëse në DPT dhe disa Drejtori Rajonale Tatimore.