Institucioni

Institucioni > Lajme >

Vijon fushata anti informalitet, Drejtoria e Hetimit Tatimor në terren për të verifikuar subjektet me risk

Drejtoria e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, përmes strukturave të saj, ka nisur zbatimin e planit operacional për periudhën 1 nëntor -31 dhjetor 2018.

Qëllimi i zbatimit të këtij plani është parandalimi, ndërgjegjësimi, evidentimi dhe goditja e paligjshmërisë në fushën e tatim-taksave, si dhe marrja e masave administrative përkatëse ndaj shkeljeve tatimore.

Fokusi kryesor i punës së strukturave hetimore do të jetë kontrolli në zonat me aktivitet të lartë ekonomik, në subjektet më të frekuentuara gjatë periudhës së festave, si dhe në tregje e transport.

Objektivat kryesorë të tij janë:         

  • Garantimi i përmbushjes vullnetare dhe zbatimi i legjislacionit tatimor;
  • Kontrolle në tatimpagues që rezultojnë me rënie të xhiros krahasuar me një vit më parë;
  • Faturimi dhe lëshimi i kuponit tatimor;
  • Identifikimi i tatimpaguesve që përdorin pajisje jo-fiskale në vendbiznes.

Plani operacional do të shtrihet për zbatim në qendrat e qyteteve kryesore në të gjithë territorin e vendit : Tiranë, Fier, Durrës, Elbasan, Korçë, Shkodër, Berat, Lezhë, Gjirokastër, Vlorë, Kukës, Dibër, Sarandë.

Administrata Tatimore në asnjë rast nuk ka si qëllim ndëshkimin e tatimpaguesve, por ndërgjegjësimin e tyre për vetëdeklarimet dhe përmbushjen me korrektësi të detyrimeve tatimore.