Institucioni

Institucioni > Lajme >

Tatimpaguesit marrin më shumë shërbime online, reduktohen vizitat në sportele

Një nga objektivat kryesorë të punës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është padyshim edhe marrja e masave për të lehtësuar procedurat, si dhe për të ofruar në çdo kohë e me sa më pak kosto shërbime cilësore.

Të gjithë tatimpaguesit, mund të marrin shërbime në rrugë elektronike, si dhe duke vizituar zyrat e Shërbimit të Tatimpaguesve, në çdo Drejtori Rajonale Tatimore. 

Referuar të dhënave, janë dhënë 543,801 vërtetime të lëshuara në rrugë elektronike nga Administrata Tatimore, për periudhën janar – shtator 2018, përmes portalit e-Albania, për individët apo subjektet e interesuara, si edhe direkt nga punonjësit e institucioneve të përfshira në këtë portal.

Ofrimi i shumë shërbimeve  elektronikisht, ka bërë që të ulen ndjeshëm vizitat në sportelet e Shërbimit të Tatimpaguesve. Janë reduktuar kontaktet me administratën, radhët e gjata dhe koha e pritjes. Kështu, për periudhën janar - gusht 2018 janë dhënë në total 26,871 vërtetime në sportele.

Në çdo kohë, specialistët e Shërbimit të Tatimpaguesve, janë të gatshëm të japin asistencën dhe informacionin e duhur, në lidhje nevojat që mund të ketë çdo tatimpagues.