Në kuadër të planit të masave për sezonin turistik, Drejtoria Tatimore Rajonale Shkodër dhe Drejtoria Rajonale Tatimore Lezhë organizuan takime me operatorët turistikë dhe përfaqësues të subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e turizmit.
Në të dy këto takime, pjesëmarrësit u njohën me planin që po zbaton Administrata Tatimore, me qëllim zbatimin e legjislacionit.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore Lezhë, z. Florian Shimaj i ftoi që të përmirësojnë vetëdeklarimet e TVSH-së, si dhe i informoi lidhur me respektimin e disa rregullave dhe detyrimeve, si shitjet me kupon apo faturë tatimore, deklarimi i punonjësve, deklarimet dhe pagesat në kohë etj..
Nga përfaqësuesit e Administratës Tatimore, u be me dije që tatimpaguesit, të cilët do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Administratës Tatimore , nuk do të jenë objekt i kontrolleve tatimore. Tatimpaguesit u informuan se në asnjë rast qëllimi nuk do të jetë penalizmi, por ndërgjegjësimi për përmbushjen me korrektësi të detyrimeve tatimore.
Edhe Drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore Shkodër, z.Hysen Hysaj gjatë takimit që pati me përfaqësues të biznesit në këtë rajon, vlerësoi gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me Administratën Tatimore, si dhe i nxiti që të rrisin vetëdeklarimet dhe pagesat për periudhën e sezonit.