Institucioni

Institucioni > Lajme >

Drejtoria Rajonale Tatimore Sarandë, takim të përbashkët informues me subjektet turistike  

 

Drejtoria Rajonale Tatimore e Sarandës, në kuadër të zbatimit të planit të veprimit për sezonin,  organizoi një tryezë të përbashkët me operatorë turistikë, si dhe përfaqësues të sektorit të hotelerisë dhe restoranteve.

Gjatë takimit, Drejtori i DRT Sarandë z. Alket Qendro, i njohu pjesëmarrësit me masat që po ndërmerren për mbarëvajtjen e këtij sezoni, si dhe me qasjen e re të administratës tatimore e cila ka në fokus, jo vetëm rritjen e të ardhurave, por edhe ndërgjegjësimin e tatimpaguesve për të përmbushur me korrektësi detyrimet ligjore.

“Ne, si administratë tatimore, kemi si qëllim të përbashkët që ta trajtojmë sipërmarrjen si partnerë dhe ta asistojmë atë në çdo problem që të mund të hasë.

Në asnjë rast, synimi nuk do të jetë penalizimi, apo të kontrollojmë subjektet, që do të jenë të rregullt.  Plani i masave, parashikon se do të mbeten jashtë verifikimeve dhe kontrolleve të përditshme të strukturave përkatëse, vetëm tatimpaguesit, të cilët do të përmirësojnë vetëdeklarimin e tyre të TVSH-së së pagueshme dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore për çdo muaj të sezonit turistik, krahasuar me deklarimet respektive të muajve të vitit të kaluar”, tha z. Qendro.

Përfaqësuesit e sektorit privat, vlerësuan takimet me administratën tatimore, si një mënyrë efikase për të rritur bashkëpunimin, për të identifikuar problemet dhe për të gjetur zgjidhje. Ata kërkuan që të merren masa më të forta për të garantuar konkurrencën e ndershme, si dhe për të minimizuar efektet që sjell informaliteti, në segmente të ndryshme të turizmit në këtë rajon.  

Deri në fund të muajit shtator, Administrata Tatimore do të jetë e angazhuar me strukturat e saj përkatëse për të kontrolluar dhe verifikuar nga afër situatën në të gjitha zonat turistike të vendit.