Institucioni

Institucioni > Lajme >

Plani i masave të turizmit, Drejtoria Rajonale Tatimore Gjirokastër tryezë të përbashkët me biznesin

Për të siguruar mbarëvajtjen e sezonit turistik, Drejtoria Rajonale Tatimore Gjirokastër zhvilloi një takim informues me bizneset, që operojnë në këtë sektor.

Drejtori i DRT-së Gjirokastër, z. Ilir Meta i njohu subjektet dhe operatorët turistikë me planin e veprimeve, që po ndërmerr administrata në të gjitha zonat turistike në vend.

Z.Meta e vuri theksin te përmirësimi dhe rritja e vetëdeklarimit, për përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore, sidomos për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Një gjë e tillë shkon në përpjesëtim me shtimin e aktivitetit ekonomik.

“Ne, si drejtori, por edhe e gjithë Administrata Tatimore i ka të gjitha kapacitetet për të siguruar ecuri sa më pozitive të sezonit turistik, si edhe për të asistuar biznesin për nevojat që mund të ketë. Tatimpaguesit, do të njoftohen në vazhdimësi mbi zbatimin e duhur të legjislacionit tatimor, për vetëdeklarimin me korrektesë të detyrimeve tatimore, për tërheqjen e kuponit tatimor, për dokumentimin e mallrave, për regjistrimin e të punësuarave, etj.”, tha z.Meta.

Ndërsa përfaqësuesit e subjekteve turistike kërkuan nga Administrata Tatimore që të shtojë masat për të luftuar informalitetin dhe për të siguruar konkurrencë të ndershme.

Gjithashtu, drejtori i DRT Gjirokastër, nënvizoi se, ata tatimpaguesit, të cilët do të reagojnë pozitivisht ndaj ftesës për të rritur vetëdeklarimin, që me deklaratën e TVSH-së së periudhës tatimore maj 2018 dhe në vijim gjatë muajve të tjerë të sezonit, do të qëndrojnë larg kontrolleve të administratës tatimore.

Takime të tilla, u vlerësuan si të rëndësishme dhe efektive nga ana e biznesit, pasi sipas tyre shërbejnë për të përmirësuar akoma më shumë marrëdheniet e ndërsjellta dhe klimën e të bërit biznes. Deri në fund të muajit shtator, Administra Tatimore do të jetë e angazhuar maksimalisht për të qenë në terren dhe për të realizuar të gjitha kontrollet e nevojshme.