Institucioni

Institucioni > Lajme >

Mbi lehtësitë fiskale për njësitë akomoduese me 4 dhe 5 yje, që përfitojnë “statusin special”

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën me dije tatimpaguesit se ka hyrë në fuqi VKM nr. 257, datë 9.5.2018 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe të dokumentacionit për subjektet që aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, që është botuar në Fletoren Zyrtare nr.70, datë 16.05.2018.

Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i kritereve, i procedurave dhe i dokumentacionit që duhet të plotësojnë subjektet, që duan të aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, strukturës që do të merret me shqyrtimin e aplikimeve si dhe i procedurës që do të ndiqet deri në paraqitjen e propozimit në Këshillin e Ministrave.

Në këtë vendim, janë përcaktuar në mënyrë të detajuar kriteret që duhet të plotësojë aplikuesi për marrjen e statusit të veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, procedurat që ndiqen për dhënien e statusit “investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, elementet përbërëse dhe dokumentacioni për aplikimin, procedura e dorëzimit dhe e shqyrtimit të aplikimit.

Pasi investitori plotëson të gjitha këto procedura, është ministri përgjegjës për turizmin, i cili shqyrton raportin përmbledhës të komisionit dhe nëse është dakord me vendimmarrjen e komisionit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, i propozon Këshillit të Ministrave dhënien e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese 4 ose 5 yje, status special” aplikuesit.

Dhe nëse investitorit i jepet “statusi special”, atëherë lidhet marrëveshja e zhvillimit me investitorin, nga ku burojnë edhe të drejtat dhe detyrimet e ndërsjella të palëve.

Në këtë kuadër, por edhe të reformave të ndërmarra nga qeveria mbi politikat dhe lehtësitë fiskale për stimulimin e një prej sektorëve strategjikë të ekonomisë shqiptare, siç është turizmi, tashmë të gjithë tatimpagauesit, që ushtrojnë veprimtari në fushën e njësive akomoduese apo edhe ata që do të ndërrmarin rishtaz investime  në këtë sektor, duhet të aplikojnë për marrjen e “statusit special”, me qëllim përfitimin e lehtësirave tatimore në fushën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe Tatimit mbi të Ardhurat.

Kështu, bazuar në ligjin nr.92/2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në RSH”, të ndryshuar, Neni 49, pika 4, (Ligj nr. 107/2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92/2014, “Për TVSH në RSH”, të ndryshuar) shkalla e reduktuar e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar 6 % aplikohet për çdo furnizim shërbimi të ofruar brenda strukturave akomoduese “Hotel/Resort me pesë yje, status special” dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”.

Gjithashtu, strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, do të përjashtohen nga tatimi mbi fitimin. Në kuadër të paketës fiskale, me ligjin nr.105/2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar është parashikuar se, strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special” dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar ndërkombëtarisht “brand name”, do përjashtohen nga Tatim Fitimi për një periudhë 10 vjeçare.

Efektet e përjashtimit nisin  nga momenti i fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit, me kushtin që ata t’a kenë përfituar statusin special deri në dhjetor të vitit 2024.

Gjithashtu, bazuar në ligjin nr. 106/2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”, përjashtohen nga taksa mbi ndërtesat strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”.