Institucioni

Institucioni > Lajme >

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve znj. Vasilika Vjero vizitë pune në Këndin e Asistencës pranë Shërbimit të Tatimpaguesve në Tiranë

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve znj. Vasilika Vjero inspektoi Këndin e Asistencës pranë Shërbimit të Tatimpaguesve në Tiranë, në kuadër të fushatës informuese për bizneset e vogla, që janë përfshirë në skemën e TVSH-së. 

Gjatë fjalës së saj znj. Vjero tha se Administrata Tatimore  ka dëshmuar gadishmëri dhe anagazhim maksimal të të gjitha strukturave tatimore gjatë pranimit të rreth 9,900 tatimpaguesve në skemën e  TVSH-së.

“Ky është një moment pune i përditshëm, i cili reflektohet në të gjitha drejtoritë rajonale, pranë Këndeve të Asistencës të dedikuara pë tatimpaguesit e vegjël, ku të gjithë punonjësit janë të gatshmëm për të ndihmuar këtë kategori për t’u përshtatur me ndryshimet e reja ligjore”, tha znj.Vjero gjatë fjalës së saj.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve tha se deri tani nuk janë konstatuar numër kërkesash nga tatimpaguesit e vegjël për t’u çregjistruar apo kaluar pasiv, çka dëshmon se ata po marrin të gjithë asistencën e nevojshme dhe janë duke vijuar punën e tyre pranë vendit ku zhvillojnë aktivitetin.

Zonja Vjero, ftoi tatimpaguesit që për çdo lloj paqartësi t’i drejtohen Këndit të Asistencës ku do të jenë gjithmonë të mirëpritur.  Tashmë, funksionojnë 13 të tilla në çdo drejtori rajonale.  “Deri më sot ne kemi zhvilluar vizita në mbi 5,700 biznese nga 9,975 që janë përfshirë në skemë. Por, puna ende vazhdon në territor për t’i kontaktuar e trajnuar të gjithë tatimpaguesit”.

Gjatë fjalës së saj ,ajo sqaroi se të gjitha subjektet që në fillim të këtij viti kishin një xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë tashmë janë pjesë e përgjegjësive tatimore të TVSH-së dhe janë automatikisht të regjistruar.  Administra Tatimore nxit vetëdeklarimet vullnetare të tatimpaguesve, të cilat lidhen me ciklin normal të aktivitetit të biznesit.

Drejtoresha e Përgjithshme Tatimeve deklaroi se po punohet edhe për një deklaratë të thjeshtuar të TVSH-se e cila  nuk do të ketë të gjitha rubrikat që mbart apo ka një deklaratë standarde e TVSH-së dhe kjo për t’i ardhur në ndihmë të gjithë tatimpaguesve gjatë këtij procesi.

Administrata Tatimore, nga ana tjetër nuk do të jetë e ashpër me penalitete për deklarata të gabuara gjatë momentit të plotësimit.  “Qëllimi ynë është të parandalojmë në kohë të gjitha problematikat dhe prandaj edhe kemi ngritur Këndet e  Asistencës, po zhvillojmë takime të dedikuara pranë tatimpaguesve apo edhe sesione të shumta trajnimi dhe informimi jo vetëm me tatimpaguesit, por edhe me këshilluesit e tyre financiar, pasi janë të shumtë ata tatimpagues që kanë zgjedhur që detyrimet e tyre të shikohen nga një studio kontabilitete apo financierë”, përfundoi znj. Vjero.

Më pas Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve vizitoi edhe sportelet e tjera të Shërbimit të Tatimpaguesve.