Institucioni

Institucioni > Lajme >

Qendra e Thirrjeve vijon fushatën e informimit për Biznesin e Vogël të  përfshirë në regjimin e TVSH-së

Qendra e Thirrjeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve vijon të komunikojë me tatimpaguesit e vegjël, që janë bërë pjesë e skemës së TVSH-së.

Përmes këtij komunikimi synohet që të asistohet kjo kategori, lidhur me çdo paqartësi, shqetësim apo pengesë në përmbushjen e hapave të nevojshëm ligjorë deri në deklaratën e parë tatimore për TVSH-në.

Qendra e Thirrjeve, në mënyrë të vazhdueshme u ofron sipërmarrësve dhe qytetarëve informacion dhe asistencë pa pagesë, për shqetësimet që ata kanë.

Në këtë kuadër, që prej datës 14 Shkurt 2018, janë kontaktuar të gjithë tatimpaguesit, të cilët janë informuar për kalimin në skemën e TVSH-së. Tatimpaguesit janë udhëzuar lidhur me detyrimin e tyre për të ndryshuar përgjegjësinë  e pajisjes fiskale, si dhe pajisjen me blloqe të faturave tatimore të TVSH-së, kryerjen e inventareve, mbatjen e librave të shitjes dhe të blerjes dhe mbi të gjitha që të kërkojnë fatura në blerje me TVSH dhe të shesin me TVSH.

3,558 prej tyre janë informuar për sesionet trajnuese, që janë organizuar nga drejtoritë përkatëse rajonale, sipas kalendarit të publikuar në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

927 tatimpagues kanë preferuar të asistohen nga Qendra e Thirrjeve nëpërmjet telefonit përsa i përket hapave, që duhet të ndiqen për të respektuar detyrimin ligjor të regjistrimit në skemën e TVSH-së.

Gjithashtu tatimpaguesit inkurajohen që të përdorin si kanal komunikimi edhe Live Chat. Për tre muajt e parë të vitit janë 1,807 tatimpagues, të cilët kanë marrë informacione përmes këtij shërbimi.

Ju mund të kontaktoni me Qendrën e Thirrjeve duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 00 02. 

Një operator do t’ju ofrojë asistencë në kohë reale, nga e hëna në të enjte  ora 08:30-18:00 dhe e premte  ora 08:30-16:00.