Të nderuar tatimpagues!
Ju rikujtojmë se nga data 1 prill 2018 kanë hyrë në fuqi ndryshimet ligjore në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Çdo tatimpagues, që kryen furnizim mallrash ose shërbimesh, i cili për vitin kalendarik 2017, ka realizuar një qarkullim nga 2.000.000 - 5.000.0000 lekë, është regjistruar automatikisht nga administrata tatimore në skemën e TVSH-së.
Këta tatimpagues, duhet të kenë bërë të mundur tashmë:
1- Ndryshimin e shkallës tatimore duke vendosur shkallën 20% apo shkallët e reduktuara sipas fushës së veprimtarisë së tatimpaguesve.
2- Të gjithë tatimpaguesit që janë përfshirë në skemën e TVSH-së, kanë të drejtë, që në periudhën e parë tatimore (prill 2018), të njohin TVSH-në e zbritshme për mallrat e inventarit gjendje në datën 31 Mars 2018, mallra këto me qëllim për t’u shitur për të cilat do të llogarisë TVSH në shitje.
Kushtet që duhet të plotësohen për të ushtruar këtë të drejtë janë si më poshtë:
3- Të pajisen me blloqe të faturave tatimore, pranë drejtorisë rajonale tatimore ku janë të regjistruar, për rastet kur do të kryejë transaksione me vlerë mbi 40,000 lekë dhe/ose nën këtë vlerë kur e kërkon blerësi. Të lëshojnë kupon tatimor për çdo shitje për klientët konsumatorë final.
4- Të regjistrojë në mënyrë kronologjike faturat e shitjes dhe të blerjes, në format elektronik, në librat mujorë të shitjes dhe blerjes. Afati i parë i këtij deklarimi është data 10 Korrik 2018, për periudhat tatimore: Prill- Maj-Qershor 2018
5- Të dorëzojë deklaratën e TVSH-së, bazuar në të dhënat e librave të shitjes dhe të blerjes, e cila përpilohet me bazë mujore dhe dorëzohet elektronikisht brenda datës 14 të muajit pasardhës të tremujorit përkatës. Afati i parë i këtij deklarimi është data 14 Korrik 2018, për periudhat: Prill- Maj- Qershor 2018.
Administrata Tatimore ju inkurajon të merrni pjese në trajnimet që po zhvillohen në çdo drejtori rajonale tatimore, lidhur me përfshirjen e bisnesit të vogël në skemen e TVSH –së.
Gjithashtu, për çdo pyetje apo paqartësi mund të telefononi në numrin e gjelbër, pa pagesë 0 800 00 02, si dhe të vizitoni Këndet e Asistencës të dedikuara për biznesin e vogël.
Ju faleminderit!