Institucioni

Institucioni > Lajme >

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve takim pune me Drejtorinë Rajonale Lezhë dhe Shkodër

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve znj.Vasilika Vjero, zhvilloi një vizitë pune me drejtuesit e Drejtorisë Rajonale Lezhë dhe Drejtorisë Rajonale Shkodër. Ajo shoqërohej nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve z.Xhavit Curri, nga Drejtori i Hetimit Tatimor z. Enertil Canaj, nga Drejtori i Hetimit Tatimor të Rajonit Verior z. Mirsad Sylja, si dhe nga Drejtoresha e Kontrollit Tatimor znj.Iris Ago.

Në takimin me strukturat drejtuese të dy drejtorive rajonale, znj.Vjero vlerësoi rezultatet e arritura gjatë vitit 2017, por edhe për dy muajt e parë të vitit, si dhe kërkoi që të shtohen përpjekjet për të pasur një performancë më të lartë gjatë periudhës në vazhdim.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve u kërkoi strukturave të Lezhës dhe Shkodrës që të përmbushin me seriozitet dhe në mënyrë rigoroze të gjitha afatet për realizimin e kontrolleve të planifikuara, të koordinojnë sa më mirë dhe në mënyrë stategjike kontrollet, që kanë si objekt kërkesat për rimbursim. Përmbushja e tyre brenda afateve të parashikuara nga ligji është detyrim për administratën tatimore.

" Si Drejtoria Rajonale Lezhë, ashtu edhe ajo Shkodër duhet që të kenë në fokus të punës së tyre, jo vetëm rritjen e të ardhurave, por edhe përmirësimin e shërbimit ndaj tatimpaguesve, duke koordinuar punën nga zyra dhe në terren për t’u njohur nga afër me problematikat”, tha në fjalën e saj znj. Vjero. 

Ajo kërkoi në mënyrë të veçantë nga Drejtoria Rajonale Shkodër të ngrihen grupe pune të posaçme për verifikimin e gjendjes se fermerëve, duke qenë se numri i tyre është i lartë,  për të rritur formalizimin e kësaj kategorie, por dhe të grumbulluesve. Znj. Vjero vlerësoi faktin që kjo drejtori po pajis me NIPT në kohë rekord fermerët, që duan të përfitojnë nga politikat lehtësuese që po zbaton qeveria. 

Për të dyja drejtoritë u la si detyrë nisja e punës për marrjen e masave për sezonin e ri turisik, për të reduktuar shkallën e informalitetit dhe për të rritur vetëdeklarimet. Gjithashtu u kërkua që biznesi të asitohet me informacion për plotësimin e dokumentacioneve tatimore në zonat kryesore turistike.

Në përfundim të takimit, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve vizitoi edhe zyrën e Shërbimit ndaj Tatimpaguesve në Lezhë, ku theksoi rëndësinë që ka rritja e cilësisë së shërbimit, plotësimi i nevojave të  dedikuara ndaj tatimpaguesve, kryesisht atyre që do të përfshihen në skemën e TVSH-së nga data 1 Prill. Përveç këshillimit në “Këndin e Asistencës për Biznesin e Vogël”, znj. Vjeroi kërkoi që të realizohen të gjitha vizitat e planifikuara në terren nga grupet e punës për të dhënë informacionin e hollësishëm, për çdo problem apo vështirësi që mund të përballet biznesi i vogël.

Për administratën tatimore edukimi dhe ndërgjegjësimi për të rritur vetëdeklarimin te tatimpaguesit mbetet filozofia kryesore e punës.