Institucioni

Institucioni > Lajme >

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve znj.Vasilika Vjero takim pune në Drejtorinë Rajonale Vlorë

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve znj.Vasilika Vjero, zhvilloi një takim pune në Drejtorinë Rajonale Vlorë, ku shoqërohej edhe nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve z. Xhavit Curri.

Në qendër të takimit me strukturat drejtuese të kësaj drejtorie ishte ecuria e deritanishme e performancës, si dhe sfidat që duhet të kapërcehen për të garantuar, jo vetëm rritje të të ardhurave, por edhe cilësi në shërbim.

“Drejtoria Rajonale e Tatimeve Vlorë ka pasur një performancë të kënaqshme në vitin që lamë pas, por do të duhet të bëhet akoma më shumë për të luftuar informalitetin dhe evazionin fiskal. Strukturat tatimore të kësaj drejtorie duhet të angazhohen më shumë në evidentimin e tatimpaguesve që shfaqin risk potencial dhe ndaj tyre të ndërmerret hetim i thelluar, kur konsiderohet e nevojshme dhe e bazuar në prova”, tha znj.Vjero.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve kërkoi nga strukturat drejtuese të DRT Vlorë që të nisin që tani nga puna, duke ngritur grupe të posaçme për të marrë masat e duhura për sezonin e ri turistik. Ajo kërkoi që të hartohet një plan i detajuar tatimor, si dhe të  sigurohet një panoramë e qartë e të gjitha subjekteve, që operojnë në të gjitha zonat turistike që mbulohen nga kjo drejtori. Vëmendje duhet t’u kushtohet edhe subjekteve që kalojnë në status pasiv në mënyrë fiktive dhe rihapen për të operuar vetëm gjatë sezonit të verës, kjo për të shmangur çdo abuzim të mundshëm.

Në kuadër të përfshirjes në skemën e TVSH-së të biznesit të vogël, duke nisur nga data 1 Prill 2018, znj.Vjero nënvizoi se strukturat e Shërbimit të Tatimpaguesve të DRT Vlorë duhet të operojnë edhe në terren për të asistuar subjektet, duke iu shpërndarë të gjithë informacionin e nevojshëm. Ajo theksoi edhe rëndësinë që ka rritja e cilësisë së shërbimit, plotësimi i nevojave të  dedikuara që kanë tatimpaguesit në këtë rajon, duke i nxituar ata që t’i drejtohen “Këndit të Asistencës për Biznesin e Vogël”. Përmes këtij këndi, tatimpaguesve u vihet në ndihmë për të plotësuar deklarimin tatimor, si dhe u jepet informacion i hollësishëm për çdo problem apo  vështirësi me të cilin përballen gjatë aktivitetit të tyre të përditshëm.

Gjatë takimit, znj.Vjero ndaloi edhe pranë zyrës së Shërbimit ndaj Tatimpaguesve ku kërkoi që të merren masa për përmirësimin e mëtejshëm të saj, në mënyrë që të garantohet një shërbim model për tatimpaguesit. Sipas saj, administrata tatimore, duhet të rrisë bashkëpunimin me biznesin për t’i nxitur të vetëdeklarohen, si dhe të rritet baza e tatimpaguesve.