Drejtoria Rajonale Tatimore Durrës zhvilloi një takim me përfaqësues të biznesit në qytetin e Krujës. Diskutimet kryesore u fokusuan në zbatimin e aksionit anti informalitet, ligjin e faljeve dhe korrektësinë e mbajtjes së dokumentacionit tatimor nga bizneset e kësaj zone.
Takimi u zhvillua në formën e bashkëbisedimit, ku u shkëmbyen mendime dhe u diskutuan disa problematika të cilat shqetësonin bizneset.
Ndër të tjera, përfaqësuesit e biznesit në qytetin e Krujës kërkuan lehtësira fiskale për artizanët, të cilët janë një kategori biznesi shumë e përhapur në këtë qytet. Ata theksuan se thjeshtimi i proçedurave tatimore dhe rritja e shkallës së informimit janë shumë të rëndësishme, si faktor kyç në stimulimin dhe mbijetesën për këtë kategori biznesesh.
Po në këtë kuadër dhe Drejtoria Rajonale Tatimore Kukës ka vijuar takimet me përfaqësues të biznesit. Anti informaliteti ishte tema kryesore e diskutimit ku, DRT Kukës informoi të pranishmit për vijimin e këtij aksioni, ndërkohë që nga ana e përfaqësuesve të biznesit u ngrit shqetësimi për subjektet që ushtrojnë aktivitet të paregjistruar, të cilët dëmtojnë konkurrencën e ndershme si dhe ekzistencës së ekonomistëve të paregjistruar që mbajnë llogaritë e kontabilitetit të subjekteve. Drejtoria Rajonale Tatimore Kukës premtoi adresimin në mënyrën e duhur të këtyre problematikave si dhe ftoi biznesin të denoncojë çdo shkelje të ligjit si nga ana e tatimpaguesve, ashtu edhe nga përfaqësues të Administratës Tatimore.
Në përfundim palët u shprehën pozitivisht për vazhdimin e bashkëpunimit të mëtejshëm në luftën kundër informalitetit dhe evazionit tatimor.