Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve organizoi një takim me përfaqësues të Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA), kryesisht operatorë të subjekteve akomoduese me shtrirje të aktivitetit në zonat të ndryshme gjeografike të vendit.
Qëllimi i takimit ishte informimi i operatorëve të këtij sektori mbi ecurinë e zbatimit të programit anti informalitet që ka ndërmarrë administrata tatimore si dhe paraqitjen e gjetjeve më kryesore rezultuar nga analiza e programit të veçantë të verifikimit në shkallë të gjerë të veprimtarive ekonomike në të gjithë zonat turistike, gjatë sezonit veror 2017.
Në takim u paraqit një raport, sipas të cilit treguesit fiskalë të arritur në mbyllje të sezonit turistik janë dukshëm më të lartë kundrejt së njëjtës periudhë të një viti më parë, ndërkohë me pozitivitet është vlerësuar nga pjesëmarrësit fryma më e lartë e partneritet dypalësh, nivel më i lartë korrektësie nga kontrollorët, si dhe një shkallë më e lartë përsa i takon cilësisë së shërbimit të administratës ndaj tyre.
Pjesëmarrësit paraqitën propozime konkrete, kryesisht të natyrës proçeduriale, që kanë të bëjnë me kërkesa për të ulur kostot e tyre të administrimit duke thjeshtuar dokumentacionin tatimor, forcimin e masave shtrënguese ndaj subjekteve informalë të cilët deformojnë tregun dhe nxisin konkurencën e pandershme. Sqarime më të detajuara nga përfaqësuesit e administratës tatimore u dhanë lidhur me shqetësime apo paqartësi të zbatueshmërisë së disa rregullave proçeduriale sektoriale, përfshirë edhe zbatimin e regjimit të veçantë të zbatimit të TVSH në këtë sektor.
Në përfundim është rënë dakord që ato probleme të natyrës administrative, të mundshme për t’u zgjidhur, me një bashkëpunim dypalësh, të konkretizohen nëpërmjet përmirësimit të rregullave që kanë të bëjnë kryesisht me metodikën kontrolluese të administratës, shtrirjen në shkallë të gjerë të informimit ndaj tatimpaguesve si dhe thjeshtimin e mbajtjes së të dhënave tatimore prej tatimpaguesve.