Institucioni

Institucioni > Lajme >

Takim mbi performancën e administratës tatimore për periudhën Janar-Maj 2017

Në një takim të posaçëm, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj.Vasilika Vjero dhe Zëvendës Ministrja e Financave znj.Irena Beqiraj, u njohën me treguesit e performancës së administratës tatimore për periudhën Janar-Maj 2017. Duke analizuar treguesit në raport me një vit më parë, Drejtoresha e Përgjithshme znj Vjero vlerësoi rritjen dhe realizimin e planit të të ardhurave në masën 104 %. Ajo vuri theksin dhe kërkoi vazhdimin e punës në mënyrë sistematike me qëllimin për të siguruar një rritje progresive e të qëndrueshme nga muaji në muaj.

Ndërkaq, Zëvendës Ministrja e Financave znj. Irena Beqiraj u shpreh se administrata tatimore si një shtyllë kyçe në forcimin e ekonomisë së vendit, në këto 5 muaj, ka përmirësuar ndjeshëm treguesit e performancës. Ajo vuri theksin në vijimin e zbatimit të planit ekonomik të qeverisë si dhe politikave të saj duke theksuar se nisma e fundit e qeverisë për uljen e TVSH-së për strukturat akomoduese nga 20 në 6% do t’i japë një hov të ri zhvillimit të ekonomisë në vend.

Të ardhurat neto të realizuara nga administrata tatimore në 5 mujorin e parë të vitit janë në vlerën 89.7 miliardë lekë.