Institucioni

Institucioni > Lajme >

Njoftim mbi ndryshimet lidhur me zbatimin e TVSH-së, për shitjen e ndërtesave

Të nderuar tatimpagues,

Në Fletoren Zyrtare nr.2, datë 16 janar 2017, është publikuar VKM nr. Nr.8, datë 11.1.2017, “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr.92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”

Disa nga ndryshimet kryesore që sjell ky vendim janë:

A. E drejta për të zgjedhur aplikimin e TVSH-së për furnizimin e ndërtesës ose i pjesëve të një ndërtese

Personat e tatueshëm mund të ushtrojnë të drejtën të zgjedhin duke e trajtuar furnizimin e ndërtesave si furnizim të tatueshëm me shkallën e TVSH-së prej 20%.

Kjo e drejtë nuk mund të ushtrohet prej personave të tatueshëm që:
-furnizojnë ndërtesa apo ambiente për banim,ose
-kur blerësi është një individ.

E drejta e zgjedhjes ushtrohet për ndërtesat ose pjesë të ndërtesës, të cilat :
-furnizohen (shiten) për qëllim përdorimi për veprimtarinë ekonomike të blerësit, subjekt i regjistruar, ose
-për qëllime rishitjeje prej tij, por jo për banim.

Për të ushtruar të drejtën e zgjedhjes personi i tatueshëm duhet të aplikojë zgjedhjen për çdo rast, përveçse kur :
-blerësi është një person juridik i patatueshem ose
-një person i tatueshëm që kryen veprimtari të përjashtuar nga TVSH-ja.

Kusht është që në kontratën e furnizimit të ndërtesës të shkruhet e shprehur qartë zgjedhja e dëshiruar nga furnizuesi dhe pranimi i saj nga blerësi.

Në rastin kur blerësi, një person juridik i patatueshëm ose i përjashtuar nuk e pranon zgjedhjen, atëherë e drejta e zgjedhjes për të aplikuar TVSH-në nuk ushtrohet

B. Modalitetet dhe rregullat e ushtrimit të së drejtës për të zgjedhur aplikimin e TVSH-së për furnizimin e ndërtesës

Personi i tatueshëm paraqet pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore:
-një deklaratë me shkrim, ku deklaron se furnizimi i ndërtesës do të trajtohet si furnizim i tatueshëm me TVSH 20%.
-një kontratë noteriale midis furnizuesit dhe blerësit, në të cilën duhet të jetë shprehur qartë se palët bien dakord se furnizimin e ndërtesës do ta trajtojnë si furnizim të tatueshëm me TVSH.
-Furnizuesi duhet të disponojë kontratën e shitjes, të cilën e vë në dispozicion të autoriteteve tatimore, kur i kërkohet. Mungesa e kontratës së furnizimit nuk i jep të drejtën e trajtimit të shitjes së ndërtesës si furnizim i tatueshëm.
-Në rastin kur ndërtesa përdoret për qëllime të veprimtarisë ekonomike nga vetë personi i tatueshëm ndërtues ose nga investitori, kontratën e ndërtimit midis ndërtuesit dhe investitorit dhe lejes përkatëse të ndërtimit, si dhe një deklaratë noteriale për qëllimin e përdorimit të ndërtesës.

Në rast se personi i tatueshëm ia shet ndërtesën personave të tatueshëm, të cilët ushtrojnë veprimtari të përjashtuar nga TVSH-ja, furnizimi i ndërtesës trajtohet me TVSH, vetëm në rast se në kontratën e furnizimit, personi i tatueshëm blerës është njohur me këtë fakt dhe ka pranuar të paguajë TVSH-në.
-Në këtë rast, furnizuesi paraqet kontratën përkatëse, mungesa e së cilës nuk i jep të drejtën e trajtimit të furnizimit si të tatueshëm.

Zgjedhja nis ditën e parë të muajit në të cilin ajo formalizohet. Pas fillimit të ushtrimit, zgjedhja zbatohet për aq kohë sa nuk ka qenë objekt ndërprerjeje.

C. E drejta e zbritjes kur ushtrohet zgjedhja për furnizimin e ndërtesave

E drejta e zbritjes ushtrohet në përputhje me dispozitat dhe përcaktimet në ligjin “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”.

Furnizuesi duhet të evidentojë veçmas zbritjet e TVSH-së për secilën nga ndërtesat ose grup-ndërtesat.

Kur furnizuesi i ndërtesave ushtron edhe veprimtari të tjera të tatueshme me TVSH ose jo, në lidhje me të drejtën e zbritjes së TVSH-së duhet të evidentojë veçmas blerjet për secilën kategori të veprimtarisë.

Nëse furnizuesi i ndërtesës ndodhet në një situatë sipas së cilës e drejta e zgjedhjes, nuk mund të ushtrohet, atëherë personi i tatueshëm duhet të procedojë me rregullimin e TVSH-së së zbritur më parë, nëse ndërprerja e transaksioneve të tatueshme ndodh para fillimit të vitit të nëntë pas vitit kur fillon e drejta e zbritjes.

Kujdes! E drejta e zgjedhjes ushtrohet për ndërtesa ose pjesë të ndërtesës, që shiten pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Ju faleminderit!