Institucioni

Institucioni > Lajme >

DPT dhe Shoqata e Bankave vijojnë takimet për Fiskalizimin.

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, z.Ceno Klosi mirëpriti në një tryezë të rrumbullakët, Shoqatën Shqiptare të Bankave, kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Dr. Spiro Brumbulli, për ecurinë e mëtejshme të procesit të Fiskalizimit.

Në takimin e zhvilluar në ambientet e Administratës Tatimore, ishin të pranishëm përfaqësues nga të gjitha Bankat në Shqipëri, si dhe drejtues të DPT-së.

Në fjalën e tij, z.Klosi u shpreh i hapur për organizimin e takimeve javore me këtë grup interesi, për vendosjen e një komunikimi të vazhdueshëm dhe stabël, si dhe për raportimin e çdo problematike nga Bankat lidhur me ecurinë e këtij procesi.

“Është e rëndësishme që të gjitha problematikat të vihen në tavolinë dhe më pas të shohim mundësinë e zgjidhjes së tyre. Përsa i përket komunikimit, nuk do të ndalet asnjëherë, veçanërisht çështjet më kryesore, do të shkëputen dhe do t’i trajtojmë edhe me takime të tjera. Në perceptimin tim, problematikat me Bankat, janë më pak shqetësuese në procesin e Fiskalizimit. Ndoshta e them para kohe, por nuk besoj se me ju do të hasim probleme. E rëndësishme është vendosja e një komunikimi praktik si dhe përmbyllja me sukses e Fiskalizimit” u shpreh ndër të tjera Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve. 

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm, Dr. Spiro Brumbulli bëri një panorama të përgjithshme të situatës aktuale të Bankave, duke sqaruar se për momentin janë ende 6 të tilla që nuk kanë arritur të kryejnë raportimin. Gjithashtu z. Brumbulli vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me Administratën Tatimore dhe reagimin e shpejt të institucionit për çështjet e ngritura nga ata.

Në vijim, takimi kaloi në nivel teknik ku pyetjeve dhe paqartësive të përfaqësuesve nga Bankat, ju kthye përgjigje nga ekspertët e DPT-së.

Administrata Tatimore konfimon angazhimin maksimal në zgjidhjen dhe adresimin e të gjitha paqartësive për çdo grup interesi të përfshirë në zbatimin e kësaj reforme tepër të rëndësishme.