Institucioni

Institucioni > Lajme >

Plani i masave të turizmit, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve takime me biznesin në Durrës

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj, së bashku me kryetaren e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako dhe me përfaqësues të DRT Durrës zhvilluan ditën e sotme një takim me bizneset e këtij qyteti, për t’i njohur e informuar me planin e masave të turizmit që po zbatohet nga Administrata Tatimore.

Znj. Ibrahimaj, i vendosi në dijeni operatorëve turistikë se plani që po zbaton Administrata Tatimore ka si qëllim ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e tatimpaguesve që ushtrojnë aktivitet në zonat turistike, për zbatimin me korrektësi të legjislacionit tatimor, si dhe rritjen e nivelit të vetëdeklarimit dhe pagesës së detyrimeve tatimore.

Ndër të tjera Znj.Ibrahimaj theksoi: 

“Jemi tashmë në nisjen e sezonit turistik, i cili vjen pas një viti jo të lehtë, si ai i kaluari për shkak të Pandemisë COVID-19.

Ne jemi të ndërgjegjshëm që sezoni turistik është një periudhë intensive pune, si për ju tatimpaguesit, të cilët ushtroni veprimtari ekonomike në këtë sektor, edhe për ne si Administratë Tatimore.

Administrata Tatimore në këto kohë të vështira është përpjekur të gjendet pranë tatimpaguesve të këtij sektori nëpërmjet implementimit të vendimeve të Qeverisë lidhur me paketat e ndihmës (Pagat e luftës).

Vendimet e Qeverisë Shqiptare për heqjen nga TVSH-ja e tatimpaguesve me qarkullim deri në 10 milion Lekë dhe për Tatim Fitimin për tatimpaguesit me qarkullim deri në 14 milion Lekë, mendojmë që kanë dhënë impakt domethënës në aktivitetin e turizmit.

Tashmë prej kohesh implementohet norma e reduktuar e TVSH –së 6% në strukturat akomoduese.”

Gjithashtu, Drejtoresha e Përgjithshme u bëri me dije tatimpaguesve, të cilët do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Administratës Tatimore, se nuk do të jenë objekt i kontrolleve tatimore. Tatimpaguesit u informuan se në asnjë rast qëllimi nuk do të jetë penalizmi, por ndërgjegjësimi për përmbushjen me korrektësi të detyrimeve tatimore.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e bizneseve e vlerësuan pozitivisht nismën e Administratës Tatimore për të diskutuar dhe ndarë problemet. Ata u shprehën optimistë për rritjen e volumeve të sipërmarrjeve të tyre, por kërkuan që të rriten masat ndaj subjekteve që prishin ekuilibrat në treg dhe cënojnë konkurrencën e ndershme.

Ky takim është në vazhdën e komunikimeve që Drejtoria e Përgjithshme po bën për të siguruar një performancë sa më të mirë të bizneseve që operojnë në të gjitha zonat turistike në vend.