Institucioni

Institucioni > Lajme >

Njoftim lidhur me deklarimin e “Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave” (DIVA) 2020.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sjell në vëmendje të individëve që janë të detyruar të deklarojnë dhe paguajnë Tatimin mbi të Ardhurat Personale me Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) 2020 se afati përfundimtar është data 30 Prill 2021.

Rikujtojmë se duhet të plotësojnë DIVA 2020, individët rezidentë dhe jo rezidentë në Republikën e Shqipërisë, të cilët gjatë vitit 2020 kanë realizuar të ardhura, nga të gjitha burimet, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në shumën 2,000,000 (dy milionë) lekë e më tepër. Detyrimin për dorëzimin e DIVA e kanë gjithashtu edhe individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën 2,000,000 (dy milionë) lekë e më tepër.

Gjithashtu, duhet të deklarojnë DIVA 2020, pavarësisht se totali i të ardhurave të tyre gjatë këtij viti kalendarik është nën 2.000.000 (dy milionë) lekë, edhe individët rezidentë apo jo rezidentë, të cilët kanë qenë të punësuar në më shumë se 1 (një) punëdhënës.

Theksojmë se, nuk janë deklarues të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) kategoria “I vetëpunësuar” (me të gjitha kategoritë e të vetëpunësuarit) dhe i punësuar në një subjekt (person fizik apo juridik) në të cilin përfiton të ardhura nga pagat dhe shpërblimet në lidhje me marrëdhëniet e punës, pasi kategoria “I vetëpunësuar” ka detyrim vetëm për pagimin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe ka të përcaktuar në listëpagesë vlerën zero në rubrikën “Paga bruto”.    

Deklarimi i të ardhurave, përveç se është detyrim ligjor, i çdo individi subjekt i deklarimit, është edhe një garanci më shumë, lidhur me justifikimin e pasurisë së tij.

Për më shumë informacion ju mund të telefononi në numrin e gjelbër pa pagesë 0800 00 02 pranë Qendrës së Thirrjeve, si dhe të përdorni shërbimin Live Chat në faqen zyrtare të DPT-së.

Bashkëngjitur këtij njoftimi gjeni edhe “Udhëzuesin për mënyrën e regjistrimit për herë të parë për DIVA”.

Dokumenta ndihmëse