Institucioni

Institucioni > Lajme >

OJF trajnohen për të shmangur riskun e përfshirjes në financimin e terrorizmit dhe të pastrimit të parave  

 

Në vijim të takimeve sensibilizuese mbi riskun e përfshirjes në financimin e terrorizmit dhe të pastrimit të parave, sot u zhvillua një seancë e plotë trajnimi me përfaqësues të organizatave jo fitimprurëse.

Z.Joshua Farbridge ekspert nga Mbretëria e Bashkuar, me përvojë të spikatur në fushën e mbikqyrjes së sektorit të OJF, specialistë nga Administrata Tatimore dhe Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave (DPPPP), trajnuan përfaqësues të OJF mbi teknikat e mbrojtjes nga risku që ekziston në këtë sektor për t’u përfshirë në vepra terroriste, të  ndëshkueshme sipas legjislacionit tonë penal.

Mbi 35 përfaqësues të OJF-ve të pranishëm në trajnim, u njohën me rregullimet e reja ligjore e procedurale si edhe mekanizmat e kontrollit për mbrojtjen sa më të plotë të tyre.

Çështjet kryesore të cilat u shpjeguan dhe u trajtuan ishin:

  • Mënyrat/tipologjitë për përdorimin e OJF për qëllime të Finnancimit te Terrorizmit, nga organizatat terroriste;
  • Risku në sektorin e OJF -ve;
  • Masat që duhen marrë për t’i paraprirë abuzimit për qëllime të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit;
  • Kuadri ligjor për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit (PPP/FT);
  • Rekomandimi Nr. 8 i FATF dhe mangësitë e identifikuara nga Moneyval i Këshillit të Evropës në lidhje me këtë sektor;
  • Prezantimi i Udhëzimit nr.19  datë 9.7.2019 “Për mbikëqyrjen e organizatave jofitimprurëse në funksion të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit"

Inspektorët e kontrollit tatimor janë trajnuar ndërkohë mbi këtë udhëzim, i cili  rregullon procedurat që ndiqen nga Administrata Tatimore, si organ mbikëqyrës, për kontrollin e veprimtarisë së OJF-ve, me qëllim shmangien e mundësisë së përdorimit të tyre për pastrim parash apo financim terrorizmi.

Përfaqësues të DPT dhe DPPPP  siguruan se OJF-të do të kenë të gjithë asistencën e nevojshme nga këto institucione, për të ndjekur procedurat dhe praktikat e duhura si nga ana  ligjore ashtu edhe tatimore.