Institucioni

Institucioni > Lajme >

Komiteti Kombëtar i Pagesave - Fiskalizimi synon uljen e informalitetit në ekonomi

Në Mbledhjen e Pestë të Komitetit Kombëtar të Pagesave, në Bankën e Shqipërisë, morën pjëse Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj.Delina Ibrahimaj.

Në fjalën e saj, Ministrja Denaj u fokusua në angazhimin e qeverisë përmes reformave dhe masave të ndryshme për të luftuar informalitetin në ekonomi, duke vënë theksin te projektligji i ri për Fiskalizimin, i cili u lançua për konsultim publik në muajin gusht.

Objektivat e këtij projektligji, thanë Ministrja Denaj dhe znj.Ibrahimaj, përfshijnë uljen e nivelit të ekonomisë informale, përmirësimin e mbledhjes së të ardhuraveidentifikimin e lehtë të evazionit; auditimin e taksave me më tepër elementë të kost-efiçent; uljen e nivelit të korrupsionit në administratë; ofrimin e më shumë shërbimeve publike për qytetarët dhe biznesin; pozicionimin e Shqipërisë më afër standardeve të Bashkimit Evropian.

“Qëllimi kryesor i këtij projekti është të luftojë evazionin fiskal nëpërmjet një legjislacioni të shëndetshëm, pajisjeve teknologjike dhe informacionit të përfituar në kohë reale për çdo transaksion të kryer në vend. Ky ligj synon krijimin e një sistemi të ri faturimi dhe monitorimi të transaksioneve të bizneseve në vend, bazuar në një sistem të ri të pajisjeve fiskale”, u shpreh Ministrja.

Po ashtu, sipas Ministres Denaj, ky projekt synon të reformojmë mënyrën e të bërit biznes dhe të modernizojë administratën tatimore, në raport me marrëdhëniet e saj me biznesin dhe për të qenë më eficente.

Ministrja përmendi edhe reformën e deregulimit të ndërmarrë në vitet e fundit, e cila ka reduktuar burokracitë dhe ka përmirësuar shërbimet e ofruara për publikun, një pjesë e të cilave sot ofrohen në mënyrë elektronike.

Në fund të fjalës së saj, Ministrja Denaj vuri theksin në qasjen e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të komunikuar në mënyrë të vazhdueshme me grupet e interesit dhe me biznesin, jo vetëm për projektligjin e Fiskalizimit, por edhe për nisma të tjera ligjore.

“Kjo është e vetmja mënyrë dhe i vetmi proces që mund të na çojë përpara në një format të tillë, ku biznesi, qeveria dhe të gjithë aktorët janë palë dhe realizojmë të njëjtin objektiv së bashku”, përfundoi znj. Denaj.