Institucioni

Institucioni > Lajme >

Përfundon kontrolli për regjimin automatik në të gjitha pikat e karburantit në vend

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, përmbyllën inspektimin e subjekteve të tregtimit të hidrokarbureve në të gjithë vendin, për të çertifikuar regjimin e tyre automatik.

Në zbatim të Planit Operacional kundër Informalitetit, përgjatë muajve Gusht dhe Shtator u realizua kontrolli dhe vendosja e rregjimit automatik në të 1117 subjektet që tregtojnë hidrokarbure dhe gaz të lëngshëm  në të gjithë Shqipërinë.  Në të gjitha këto subjekte janë vendosur 2176 rregjime automatike të instrumentave matës, ligjërisht të kontrolluar, ndërsa u konstatuan 15 shkelje të legjislacionit tatimor.

“Kemi mbuluar me kontrolle të gjithë territorin e vendit duke siguruar që pompat të jenë në regjim automatik, duke çertifikuar me plumbçe, secilën prej tyre.” – tha  Drejtoresha e Përgjithshme e DPT, znj.Delina Ibrahimaj, ndërsa ndoqi nga afër njërin prej inspektimeve, sot në Tiranë dhe siguroi se kontrollet do të vazhdojnë, në bashkëpunim edhe me DPM, për të monitoruar respektimin e ligjit edhe tek subjektet që janë konsumatorë të mëdhenj të karburantit.

Ky proces i çertifikimit të regjimit automatik në tregtimin e hidrokarbureve, është në vazhdën e Planit të gjerë operacional kundër informalitetit, i cili përgjatë gjithë muajit Gusht dhe Shtator u fokusua tek karburantet, për të garantuar respektimin e rregullit “pa kupon s’ka karburant”, për të 1117 operatorët në këtë sektor, duke nisur nga më të mëdhenjtë deri tek më të vegjëlit.

DPT do të vijojë kontrollin në subjektet që janë konsumatorët më të mëdhenj të karburantit, për të garantuar ligjshmërinë e veprimeve të tyre, si edhe rikontroll në subjektet e çertifikuara tashmë ligjërisht në regjim manual.

DPT fton subjektet të vetëdeklarohen në përmbushje, ndërsa respektimi i ligjit mbetet detyrim për të gjithë.