Institucioni

Institucioni > Lajme >

Takim konsultativ me biznesin në Korçë për Fiskalizimin

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj.Anila Denaj dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj vijuan takimet informuese mbi Projektiligjin e “Fiskalizimit”, në nivel rajonal, me përfaqësues nga komuniteti i biznesit në Korçë.

Bashkë me drejtues të Drejtorisë Rajonale Tatimore Korçë, njohën të pranishmit në këtë takim mbi risitë që sjell ky projekt, duke siguruar përfaqësuesit nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë si tregtia, hoteleri-turizmi, bar-restorante, gazi, transporti, ndërtimi, etj. se dialogu me ta do të vazhdojë si një proces i rëndësishëm për përmirësimin e projektligjit.

Ministrja Denaj bëri me dije se konsultimi publik, i cii ka nisur një muaj më parë me grupet e interesit në Tiranë, ka orientuar grupin e punës për të ndryshuar katër nene, të cilat sillnin ngërçe për biznesin, si limiti i arkës, si do vendoset koha dhe afati i faturimit.

“Pse këto nene u ndryshuan? Sepse në diskutime dhe në dialog me grupet e interesit, biznesin dhe përfaqësues të tij, bankave etj, u vu re që gjuha jo shpesh mund të kishte të njëjtën kuptueshmëri nga ana e biznesit dhe krijonte ngërçe si, limiti i arkës, si do vendoset koha dhe afati I faturimit. Këto nene po ndryshohen. Ne, duke parë frytet e këtij dialogu menduam ta shtrijmë në nivel rajonal dhe ndaj jemi këtu sot. E nisëm në Fier, jemi sot në Korçë, do jemi në gjithë qytetet e Shqipërisë dhe nëse është e nevojshme do të vijmë përsëri për të arritur një kuptueshmëri sa më të lartë”. – sqaroi Ministrja.

Pas tryezave të gjera të diskutimit përgjatë muajit gusht, me grupet kryesore të interesit në Tiranë,  projektligji është në fazën e konsultimit të tij me përfaqësues të komunitetit të biznesit në të gjitha rajonet e vendit, ndërkohë që në muajin tetor do të nisë testimi i sistemit, përgjatë të cilit do të vijojë komunikimi me biznesin, në mënyrë që kur të nisë aplikimi biznesi të jetë i mirëinformuar.

Ministrja theksoi se Projekti i Fiskalizimit, apo projektligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, duhet parë në kornizën e gjerë të rëndësisë që ai ka për zhvillimin e ekonomisë, të vetë biznesit dhe përafrimin me standardet europiane.

Nga ana e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj, informoi në detaje mbi fazat në të cilat do të kalojë reforma e Fiskalizimit dhe risitë që do të sjellë, ku faza e parë, e cila përfshin marrëdhëniet biznes-konsumator është parashikuar të nisë në 1 janar të vitit 2020, ndërsa dy fazat e tjera, që përfshijnë marrëdhëniet “biznes me biznes” dhe “biznes-shtet” janë planifikuar të nisin në 2021. “Ndryshimi kryesor që projekti paraqet është raportimi në kohë reale i të gjithë faturave. Nga 1 janar 2020, të dhënat nuk do të dërgohen në bazë ditore, por do të dërgohen sa herë që një shitje gjenerohet. I gjithë procesi i validimit dhe fiskalizimit të faturës, do të ndodhë në pak sekonda, ndërsa ndryshimi që sjell në marëdhënien e Adminstratës Tatimore me ju është shumë i madh, në pikëpamje të kontrollit tatimor. Do të minimizohen inspektimet dhe vizitat fiskale, pasi sistemi e jep këtë mundësi”-  sqaroi ndër të tjera znj. Ibrahimaj, duke e siguruar biznesin se do të asistohet nga AT, në çdo fazë të zbatimit të këtij projekti.

Takimi vijoi me diskutime mes palëve dhe sqarimin nga ana e përfaqësuesve të MFE dhe Administratës Tatimore mbi detaje teknike të Fiskalizimit, si dhe përgjigje për pyetjet e ngritura nga ana e përfaqësuesve të biznesit. Konsultimet do të shtrihen në të gjitha rajonet, duke u përsëritur në secilën prej fazave të realizimit të fiskalizimit.