Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, doli sot në një konferencë të përbashkët për shtyp me Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj, Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, z. Arlind Gjokuta, dhe zv.Ministrin Elton Haxhi, me anë të së cilës informoi opinionin publik mbi rezultatet e zbatimit të Planit Operacional të luftës kundër informalitetit për muajin gusht.
Ministrja Denaj bëri me dije se gjatë muajit gusht ka një realizim në masën 100 % të planit të të ardhurave nga tatimet, doganat dhe kontributet, të cilat janë rritur me gati 4.7% ose rreth 1.6 miliardë lekë më shumë në krahasim me muajin gusht të vitit të kaluar.
Për periudhën 8 mujore të ardhurat u rritën me 3.8% ose rreth 9.7 miliardë lekë më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Kjo performancë, theksoi znj. Denaj, ka bërë që Ministria e Financave dhe Ekonomisë të vijojë me korrektesë zbatimin e kalendarit të rimbursimeve të TVSH-së, ku vetëm gjatë muajit gusht janë rimbursuar 1,68 miliardë lek, ose 42% më shumë se muaji gusht i vitit të kaluar .
“Për periudhën 8 mujore janë rimbursuar 11,8 miliardë lek TVSH biznesve nga 9.22 miliard lekë gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2018, ose 2.6 miliardë lek më shumë ose 28.7% rritje”, tha Ministrja.
Rezultate mbi zbatimin e masave të Planit Operacional kundër informalitetit dhanë edhe drejtorët e Administratave Tatimore dhe Doganore.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve informoi se për periudhën 4 korrik-3 shtator janë kryer 4460 kontrolle nga Administrata Tatimore, ku janë konstatuar 1882 shkelje të legjislacionit tatimor. “Në fokus parësor të punës sonë për pjesën e mbetur të vitit do të jenë deklarimet e pagave, në bashkëpunim edhe me Inspektoriatin e Punës”, u shpreh znj. Ibrahimaj.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave informoi se që nga fillimi i zbatimit të Planit Operacional janë kryer 1454 kontrolle, nga të cilat kanë rezultuar me shkelje 90 raste.
“Në total detyrimi i subjekteve shkon 220 milionë lekë. Fokusi kryesor ka qenë sektori i karburanteve në të cilin janë kryer kontrolle të detajuara në magazinat e lira dhe rafineritë e prodhimit, si dhe në subjektet konsumatore apo përdorues të lëndëve djegëse që janë produkt i akcizës”, u shpreh z. Gjokuta.
Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave bëri me dije se në vijim Plani Operacional do të fokusohet në kontrollin e karburanteve për anijet e peshkimit, kontrollin e lëndëve të para që do përdoren për prodhimin e pijeve alkoolike, ka nisur të kryhet iventari i fuçive të birrës dhe rakordimi i pullave fiskale, ndërkohë që në fokus të veçantë do të jetë edhe kontrolli i tregtisë informale të duhanit të grirë.
Fjala e Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, Znj.Dellina Ibrahimaj
Ndajmë sot me ju, bilancin e punës sonë, e cila ka qenë intensive dhe do të vijojë të jetë edhe në muajt në vijim, në përmbushje të objektivave strategjikë të Administratës Tatimore- realizimi i të ardhurave; rritja e përqindjes së tatimpaguesve që përmbushin detyrimet ligjore; ulja e informalitetit dhe një menaxhim i mirë i borxhit tatimor, përmes respektimit të ligjit dhe një administrate eficente.
Kemi arritur të realizojmë në masën 101% Planin e të ardhurave për muajin gusht, ose 185 milion lekë më shumë sesa parashikimi, në kushtet që kemi tejkaluar edhe planin e rimbursimit të TVSH-së në masën 12% për muajin gusht (184 milion Lekë).
Janë ndjerë pozitivisht efektet e ndryshimeve të paketës fiskale, në tatimin mbi te ardhurat personale, ku përfshihet tatimi mbi dividentin dhe te ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore, ku tatimpaguesit përfituan nga ulja e përqindjes për dividentin nga 15 në 8%, prognozë e cila pritet të vijojë e tillë edhe në muajin shtator.
Në fokus të punës së AT gjatë muajve të fundit ka qenë lufta ndaj informalitetit, e organizuar në një plan të gjerë veprimi, duke koordinuar një qasje gjithpërfshirëse të strukturave të monitorimit në terren, të kontrollit tatimor, të shërbimit të tatimpaguesve, të mbledhjes së detyrimeve të papaguara dhe me institucionet e tjera të linjës, për të modeluar edukimin e tatimpaguesve për vetëdeklarim real. Ky plan veprimi do të vijojë intensiv edhe në muajt në vijim.
Siç ju kemi informuar në mënyrë transparente dhe periodike, Administrata Tatimore ka kryer 4,460 kontrolle, gjatë periudhës 4 korrik -3 shtator, ndërsa janë konstatuar 1,882 shkelje të legjislacionit tatimor.
Shkeljet më kryesore renditen si më poshtë:
Duke analizuar gjetjet, rezulton i lartë numri i tatimpaguesve që kryejnë shitje dhe nuk lëshojnë kupon tatimor. Në të gjitha këto raste AT ka vendosur penalitete, ndërsa monitorimi vazhdon përmes rivlerësimeve tatimore nga zyra për 3 muajt e fundit të aktivitetit.
Plani ynë i veprimit është orientuar nga analiza e thelluar e riskut, e cila ka identifikuar sektorët me risk më të lartë, duke përdorur edhe të dhëna të tërthorta. Në sektorë si ai i hidrokarbureve, i ndërtimit apo i transportit ka patur rritje ekonomike, ndërkohë që qarkullimi i vetëdeklaruar nga këta tatimpagues ka shënuar rënie. Për këtë arsye gjatë muajit Gusht, strukturat e kontrollit tatimor u përqëndruan në kryerjen e vizitave fiskale në subjektet që operojnë në fushën e hidrokarbureve, atë të ndërtimit, edhe si subjektet me konsumin më ta lartë të karburantit. Janë bërë 80 vizita fiskale, ndërsa janë të planifikuara 300 të tilla në subjektet e këtij profili.
Në bashkëpunim me DPM janë kryer 653 kontrolle në subjekte të fushës së hidrokarbureve. Janë konstatuar 12 shkelje të legjislacionit tatimor, ndërsa vijon procesi i plumbçosjes dhe kontrollit në të gjitha pikat e tregtimit.
Si pjesë e planit kundër informalitetit, për herë të parë, Adiministrata Tatimore ka hapur një regjistër për subjektet që operojnë në sektorin e turizmit, i cili pasurohet vazhdimisht me të dhëna të marra edhe nga platformat online të ofrimit të njësive akomoduese, si edhe të dhëna të tjera për numrin e dhomave, të shtretërve, nr. e të punësuarve, mbi bazën e të cilave do të bëhen edhe vlerësimet për periudhat e ardhshme tatimore.
Ky Plan nuk është një fushatë e përkohshme, por vendosja e punës sonë në shina veprimi të konsolidura në luftën kundër informalitetit. Projekti i fiskalizimit dhe paketa e ndryshimeve ligjore që po përgatiten do të strukturojnë mirëfilli formalizimin e ekonomisë shqiptare.
Vendosjen e këtij standardi ka dëshmuar se e do qytetari shqiptar, i cili edhe përmes platformës Stop Informalitetit vijon të kontribuojë për vendosjen e konkurencës së ndershme dhe respektimin e ligjit nga të gjithë.
Në fokus parësor të punës sonë për pjesën e mbetur të vitit, do të jenë deklarimet e pagave, në bashkëpunim edhe me Inspektoriatin e Punës. Nga analizat e thelluara të adminstratës tatimore rezulton se një numer i konsiderueshëm tatimpaguesish nëndeklarojnë pagën reale të punonjësve, duke e kthyer këtë në një dukuri tepër shqetësues jo thjesht për të ardhurat e buxhetit të shtetit, por për fatin e nesërm të individëve, për vlerat e pensioneve që ato do të përfitojnë. Kemi identifikuar profesionet dhe fashat e tatimpaguesve më të ekspozuar, të cilët do të jenë subjekt i vizitave fiskale, kontrollit dhe fushatave ndërgjegjësuese. AT po punon për rishikimin e kuadrit ligjor edhe për këtë;
Në lidhje me administrimin e detyrimeve të prapambetura, kemi arritur të ndalim rritjen e këtyre detyrimeve. Për muajt në vijim synojmë që të reduktojmë në maksimumin e mundshëm detyrimet e reja të vetëdeklaruara dhe të arkëtojme detyrimet e prapambetura të tatimpaguesve aktivë. Gjithashtu synohet të reduktohet borxhi duke aplikuar masën ligjore të konfiskimit të 50 % të qarkullimit, të realizuar nga shitjet me pakicë, për të gjithë tatimpaguesit e kësaj kategorie që kanë detyrime të prapambetura të papaguara.
Kemi operuar me programe të detajuara veprimesh në tatimpaguesit, të cilët gjatë 7 mujorit të këtij viti kanë rezultuar me rënie të dukshme të qarkullimit të vetëdeklaruar, të kanalizuar në dy drejtime: informimin e tyre si edhe vizitat fiskale në vendin e ushtrimit të aktivitetit. Janë bërë mbi 21 mijë vizita informuese dhe ndërgjëgjësuese me tatimpaguesit.
Qëllimi ynë në asnjë rast nuk është penalizimi i subjekteve, por orientimi i tyre përmes ndërgjegjësimit dhe mekanizmave ligjorë që përcakton ligji, për deklarimin real të të ardhurave, formalizimin e veprimtarisë tregtare, deklarimin e të punësuarve dhe të pagave të tyre, në mënyrë që ekonomia shqiptare të prosperojë dhe interesi qytetar të përmbushet më së miri.
Ju faleminderit!