Administrata Tatimore rikujton të gjithë tatimpaguesit që kanë deklarata tatimore të padorëzuara për periudha deri më 31.12.2024, se kanë afat deri më 30 qershor 2026 për t’i dorëzuar ato, me qellim përfitimin nga fshirja/shuarja e gjobave për mosdeklarim në afat.
Në zbatim të ligjit nr. 86, datë 12.12.2025, “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe të detyrimeve të pagueshme në doganë”, si dhe të Udhëzimit nr. 11, datë 14.05.2026, objekt i fshirjes/shuarjes janë edhe dënimet administrative (gjobat) për deklaratat e padorëzuara që u përkasin periudhave deri më 31.12.2024, me kusht që këto deklarata të dorëzohen brenda datës 30.06.2026.
Për të përfituar nga kjo lehtësi ligjore, tatimpaguesit duhet të dorëzojnë të gjitha deklaratat e padorëzuara brenda afatit të përcaktuar (30 qershor 2026).
Administrata Tatimore thekson se penalitetet administrative (gjobat) për mosdeklarim në afat nuk do të jenë objekt i fshirjes/shuarjes për deklaratat që dorëzohen pas datës 30.06.2026, sipas parashikimeve të ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi.
Ftojmë tatimpaguesit të verifikojnë situatën e tyre financiare në sistemin e-Filing dhe të kryejnë dorëzimin e çdo deklarate të padorëzuar brenda afatit ligjor, në mënyrë që të përfitojnë nga lehtësitë e parashikuara në ligjin e fshirjes/shuarjes së detyrimeve tatimore të papaguara.