Institucioni

Institucioni > Lajme > Lajme

Kujtesë mbi lëshimin e kuponit tatimor dhe të dhënat e transmetuara nga pajisjet fiskale

Të nderuar Tatimpagues,

Administrata Tatimore, në funksion të detyrimit të saj për t’ju informuar e asistuar, në çdo aspekt që lidhet me zbatueshmërinë prej jush të detyrimeve ligjore, ju sjell në kujtesë detyrimin tuaj për  mbajtjen e dokumentacionit tatimor dhe konkretisht atij që lidhet me përdorimin e pajisjeve fiskale:

  • Kuponi tatimor i lëshuar nga pajisja fiskale, është dokumenti tatimor i kërkuar ligjërisht  për çdo tatimpagues, që shet mallra apo ofron shërbime me para në dorë.  Në mbështetje të këtij detyrimi ligjor, pranë administratës tatimore është ngritur një sistem monitorimi on-line, i cili ndjek dhe regjistron çdo ditë, të dhënat e transmetuara nga pajisjet fiskale të çdo tatimpaguesi.

Administra Tatimore, me shumë kënaqësi konstaton se një numër i madh i tatimpaguesish, deklaron rregullisht çdo ditë qarkullimin në përputhje me vëllimin e vërtetë të shitjeve, mbështetur me kupon tatimor për çdo klient të furnizuar, duke transmetuar gjithashtu me korrektesë të dhënat në fund të çdo dite pune.  Ndërkohë që nga verifikimi i të dhënave të transmetuara gjatë vitit 2017, rezulton se ka pajisje fiskale nga të cilat nuk është kryer çdo ditë transmetimi, duke mos përmbushur dhe respektuar pikën 9.1 të VKM Nr. 781, datë 14.11.2007 “Për karakteristikat teknike e funksionale të pajisjeve fiskale, sistemit të integruar të kompjuterizuar për transferimet periodike”, i ndryshuar.

Nga verifikimi konstatohet gjithashtu se edhe kur transmetimet janë kryer në disa raste, vlerat e transmetuara nga pajisjet dhe numri i kuponave ditore të prerë është në një vlerë të ulët.

Në këto kushte në zbatim të dispozitave të legjislacionit tatimor, konkretisht nenit 54 dhe 55 të Ligjit Nr.9920 datë 19.5.2008 “Për procedurat mbi detyrimin për lëshimin e kuponit tatimor, ju sjellim në vemendje se për çdo transaksion shitje me para në dorë tatimpaguesi detyrohet të lëshojë kuponin tatimor prej pajisjes fiskale, të dhënat e së cilës duhet të transmetohen cdo ditë në sistemin e integruar për këtë qëllim duke përmbushur kështu:

  • detyrimin tuaj ligjor për lëshimin e kuponit,
  • të drejtën e klientit ose blerësit për të pasur dokumentin për pagesën e kryer ose furnizimin e marrë.

Referuar të drejtës së saj për të kontrolluar, administrata tatimore është duke planifikuar kryerjen e vizitave fiskale në vendet e ushtrimit të veprimtarisë, për evidentimin e fakteve dhe faktorëve që mund të kenë sjellë për pasojë uljen ose reduktimin e xhiros së kryer, si dhe faktin se përse nuk janë kryer transmetimet ditore sikurse parashikon legjislacioni.
Administra Tatimore sqaron se, respektimi nga çdo tatimpagues i detyrimeve të lart përmendura, përveçse lehtëson administrimin tatimore, shmang çdo pengesë që mund të shkaktohet nga prania e inspektorëve të administratës tatimore në mjediset e biznesit me qëllim verifikimin dhe kontrollin e zbatimit të ligjit.

Ju faleminderit!