Institucioni > Lajme > Lajme

Njoftim për zbatimin e procedurave të dorëzimit elektronik të Pasqyrave Financiare të vitit ushtrimor tatimor 2016

Të nderuar Tatimpagues!

Në zbatim të Ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 "Për tatimin mbi të ardhurat", i ndryshuar, Udhëzimit të Ministrit të Financave nr.5, datë 30.01.2006, "Për tatimin mbi të ardhurat", i ndryshuar, VKM-së Nr. 922 datë 29.12.2014 "Për deklarimin e detyrueshëm të deklaratave tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike", si dhe kërkesave të ligjit Nr. 9228, datë 29.04.2004" Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare", i ndryshuar", Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nxjerr njoftimin për dorëzimin e pasqyrave financiare për vitin fiskal 2016.

Bazuar në sa më sipër për deklarimin tatimor dhe llogaritjen përfundimtare të tatimit mbi fitimin, tatimpaguesi është i detyruar të dorëzojë brenda datës 31 Mars të vitit 2017, formularin e Deklarimit të Tatimit mbi Fitimin sipas modelit të miratuar me udhëzim. Ky formular plotësohet në përputhje me shënimet sqaruese.

Po kështu, ai dorëzon vetëm elektronikisht në administratën tatimore brenda datës 31 Mars të vitit 2017, bilancin kontabël së bashku me anekset e tij, konkretisht :

  • bilanci (aktivet, pasivet dhe kapitali);
  • pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve;
  • pasqyra e ndryshimeve në kapital, pasqyra e fluksit të parasë ose pasqyra e qarkullimit të likuiditeteve (cash-flow)
  • aneksi për shpjegimet shpjeguese
  • Raporti i ekspertit të autorizuar të shoqërisë (kur ky raport kërkohet në zbatim të ligjit nr.10091, datë 5.3.2009 "Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar", Neni 41 "Personat juridikë që detyrohen për auditimin ligjor të pasqyrave financiare", apo akteve nënligjore).

    Dokumentacioni shtesë i kërkuar në bazë të ligjit Nr.9920, datë 19.05.2008 "Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë", neni 60, i cili do të dorëzohet elektronikisht së bashku me pasqyrat financiare është:

  • Kontratat e qirasë për ambientet e marra me qera, apo vërtetimin e pronësisë për objektet në pronësi.
  • Gjendjen e inventarit të mallrave për shitje më datë 31.12.2016 (analitik).
  • Inventarin e mjeteve të transportit në pronësi.
  • Pasqyra e aktiveve afatgjata materiale

Pasqyrat financiare (pasqyrat e aktivit, pasivit dhe kapitalit), pasqyra e të ardhurave dhe shpenzimeve, pasqyra e ndryshimeve në kapital, pasqyra e qarkullimit të likuiditeteve (cash-flow), pasqyra e aktiveve afatgjata materiale, do të dorëzohen elektronikisht në version pdf (të skanuara) dhe në version Excel.

Pasqyrat financiare të dorëzuara në version pdf (të skanuara) detyrimisht do të jenë të nënshkruara dhe vulosura nga administratori i shoqërisë.

Do të dorëzohen elektronikisht vetëm në version pdf (të skanuara) aneksi për shpjegimet shpjeguese, raporti i ekspertit të autorizuar të shoqërisë, kontratat e qerasë për ambientet e marra me qira, vërtetimi i pronësisë për objektet në pronësi, inventari i mjeteve të transportit në pronësi.

Gjendja e inventarit të mallrave për shitje më datë 31.12.2016 (analitik) do deklarohet në versionin e mundshëm të tatimpaguesit por me kushtin që version i deklaruar të jetë i pandryshueshëm.

Ju faleminderit!