Institucioni

Institucioni > Lajme > Lajme

Njoftim për dorëzimin e pasqyrave financiare për vitin fiskal 2025

Administrata Tatimore rikujton të gjithë tatimpaguesit, që kanë detyrim ligjor dorëzimin e pasqyrave financiare për vitin 2025, se afati i fundit për raportimin e tyre është data 31 mars 2026. Dorëzimi i pasqyrave financiare bëhet vetëm nëpërmjet sistemit elektronik e-Filing.

Ky detyrim vjen në zbatim të Ligjit nr. Nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, Udhëzimit të Ministrit të Financave nr. 26, datë 8.9.2023, "Për tatimin mbi të ardhurat", i ndryshuar, si dhe VKM-së Nr. 922 datë 29.12.2014 "Për deklarimin e detyrueshëm të deklaratave tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike".

Në zbatim të legjislacionit në fuqi, detyrimin për dorëzimin e pasqyrave financiare e kanë subjektet, që kanë përgjegjësi tatimore për “Tatimin mbi fitimin korporativ” ose “Tatimin mbi të ardhurat personale biznesore”, në rastet kur qarkullimi vjetor i tyre është mbi 5 milionë lekë.

Për organizatat jofitimprurëse, detyrimi për dorëzimin e pasqyrave financiare përcaktohet vetëm mbi bazën e qarkullimit (mbi 5 milionë lekë), pa u kushtëzuar nga përgjegjësia për Tatimin mbi Fitimin Korporativ.

Pasqyrat financiare duhet të hartohen në përputhje me ligjin nr. 25/2018 “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare”.

Në përputhje me ligjin nr. 9920/2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, neni 60, së bashku me pasqyrat financiare duhet të dorëzohen elektronikisht edhe dokumentet shtesë si më poshtë:

  • Gjendja e inventarit të mallrave për rishitje, lëndës së parë, prodhimit në proces dhe produkteve të gatshme, më datë 31.12.2025 (analitik);
  • Inventari i mjeteve të transportit në pronësi.


Pasqyrat financiare duhet të dorëzohen elektronikisht në version PDF (të skanuara) dhe në version Excel.

Sqarojmë se pasqyrat financiare duhet të dorëzohen në version PDF (të skanuara) dhe duhet të jenë të nënshkruara dhe vulosura nga përfaqësuesi ligjor i shoqërisë (administratori) ose nga personi përgjegjës për hartimin e pasqyrave financiare.

Elektronikisht, vetëm në version PDF (të skanuar) duhet të dorëzohet edhe raporti i ekspertit të autorizuar të shoqërisë, sipas përcaktimeve ligjore.

Gjendja e inventarit për çdo kategori më datë 31.12.2025 deklarohet në version Excel, me kusht që dokumenti i deklaruar të jetë në format të pandryshueshëm.

Subjektet që kanë detyrimin për dorëzimin e pasqyrave financiare duhet gjithashtu të deklarojnë të dhënat përkatëse në menunë “Kontabilitet” në llogarinë e tyre elektronike në sistemin e-Filing. Në këtë seksion përzgjidhet periudha tatimore përkatëse dhe plotësohen të gjitha fushat, që shfaqen në ndërfaqen e sistemit.

Kujdes!

  • Kur hartuesi i pasqyrave financiare është individ i punësuar pranë subjektit, deklarohet ID personale e tij.
  • Kur hartuesi është kontabilist i miratuar, shoqëri auditimi ose shoqëri kontabiliteti, deklarohet NUIS-i i subjektit përkatës.


Për çdo pyetje, paqartësi apo informacion shtesë, tatimpaguesit mund të kontaktojnë Shërbimin për Tatimpaguesit pranë çdo Drejtorie Rajonale Tatimore, si dhe Qendrën e Thirrjeve në numrin pa pagesë 0800 0002.