Administrata Tatimore është e angazhuar në mënyrë të pandërprerë në luftën kundër informalitetit dhe skemave mashtruese, të cilat dëmtojnë të ardhurat publike dhe cënojnë konkurrencën e ndershme në treg.
Në këtë kuadër, mesditën e datës 2 korrik 2025, është ndërmarrë një aksion kontrolli, në bashkëpunim me strukturat e Policisë dhe Prokurorisë Fier, në zyrat qëndrore të kompanisë Bankers Petroleum Albania Ltd, e cila operon prej vitesh në fushën e naftënxjerrjes në zonën e Marinzës.
Ky veprim u realizua në vijim të një hetimi dhe verifikimi të thelluar, të shtrirë në një periudhë 6-mujore, nga Drejtoria e Hetimit Tatimor në Administratën Tatimore. Gjatë kësaj periudhe janë mbledhur prova të mjaftueshme që ngrenë dyshime të arsyeshme se shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka krijuar skema mashtruese përmes fryrjes fiktive të shpenzimeve, me qëllim shmangien e pagesës së tatim-fitimit dhe përfitimin e padrejtë të rimbursimit të TVSH-së.
Bazuar në provat e mbledhura deri tani, rezulton se keto skema janë realizuar përmes bashkëpunimit me individë dhe shoqëri të tjera kontraktuese, si brenda ashtu edhe jashtë territorit të Shqipërisë.
Gjithashtu, punonjës të kësaj kompanie dyshohet se kanë qenë të përfshirë në falsifikim dokumentacionesh dhe kryerje të operacioneve financiare të dyshimta.
Administrata Tatimore siguron qytetaret se do të vijojë perpjekjen e saj për mbrojtjen e interesit të shtetit dhe të tatimpaguesve për një taksim të drejtë dhe të ndershëm. Objektivi ynë është garantimi i barazisë përpara ligjit, ku gjithësecili paguan atë që i takon.
Ftojmë të gjitha subjektet të respektojnë detyrimet ligjore për të ndërtuar së bashku një klimë biznesi të shëndetshme dhe transparente.