Institucioni

Institucioni > Lajme > Lajme

Rastet e faturimit për marrëveshjet e donacionit ose grantit IPA III

Lëshimi i faturës elektronike për furnizimin e mallrave/shërbimeve në funksion të realizimit të projekteve të SASPAC

Administrata Tatimore njofton se zbatuesi/përfituesi i projektit SASPAC apo kontraktori, për çdo transaksion që kryen në funksion të zbatimit të projektit, duhet të lëshojë ose pranojë vetëm fatura elektronike (e-invoice).

Çdo furnizim i kryer duhet të përmbajë referencën ligjore për trajtimin e furnizimit me 0% TVSH, konkretisht: shkronja “c”, pika 1, neni 60 të Ligjit 92/2014 për TVSH-në.

Për çdo furnizim të kryer në funksion të zbatimit të projektit, duhet të vendosen të dhënat e projektit në fushën: “Të dhëna për projektin/ project reference” (sipas dokumentacionit teknik të publikuar për shërbimin e-invoice është fusha BT-11) që përmban Kodin Unik të Identifikimit të Projektit dhe Kodin e Certifikatës në regjistrin e Drejtorisë Rajonale Tatimore (Shembull: SASPAC-2025-04-0014-DRT-TR-2025-0001).

Kur zbatuesi/përfituesi e realizon vetë projektin, për çdo blerje malli/shërbimi për realizimin e këtij projekti, do të trajtohet me 0% TVSH nga shitësi, duke vendosur edhe referencën ligjore “shkronja “c”, pika 1, neni 60 të Ligjit 92/2014 për TVSH-në”. Zbatuesi/përfituesi për çdo blerje duhet të paraqesë certifikatën e lëshuar nga DRT tek shitësi i mallrave apo shërbimeve, i cili në momentin e lëshimit të fatures do të veprojë sipas hapave më poshtë:

  • Për çdo artikull të faturës duhet të përdoret përjashtimi “Export” (EXPORT_OF_GOODS)
  • Në çdo faturë elektronike duhet të përdoret fusha "Të dhëna për projektin/Project reference" (BT-11) e cila do të përmbajë Kodin Unik të Identifikimit të Projektit dhe Kodin e Certifikatës në regjistrin e Drejtorisë Rajonale Tatimore, sipas formatit: SASPAC – Kodi Unik i Identifikimit të Projektit – Kodi i DRT – Numri i Certifikatës në regjistrin e DRT-së. Shembull: SASPAC-2025-04-0014-DRT-TR-2025-0001

Për rastin e importeve, fatura për importet do të lëshohet nëpërmjet portalit Self-Care si import mallrash të përjashtuara nga TVSH-ja.

Në rastin kur zbatuesi/përfituesi e realizon projektin nëpermjet kontraktorit, ky i fundit regjistron kontratën noteriale në Drejtorinë Rajonale Tatimore ku është i regjistruar dhe Drejtoria Rajonale lëshon Certifikatën e regjistrimit, Formularin 7A.

Në rastin kur kontraktori është subjekt i TVSH-së, shitësit e mallrave apo shërbimeve për kontraktorin, qofshin furnizime të tatueshme (me 20%, etj), apo të përjashtuara nga TVSH-ja, duhet detyrimisht të pasqyrojnë në faturën e shitjes Kodin Unik të Projektit të Agjencisë SASPAC si dhe numrin e certifikatës Formulari 7A, të cilat shërbejnë për evidentimin që këto blerje të kryera janë në funksion të realizimit të projektit nga ana e kontraktorit dhe ai ka të drejtën më tej të kërkojë rimbursimin e TVSH-së për këto blerje.

Në rastin kur kontraktori nuk është subjekt i TVSH-së, Certifikata e regjistrimit, Formulari 7A, është e vlefshme deri në përfundimin e kontratës dhe i mundëson kontraktorit të blejë mallra apo shërbime në funksion të realizimit të projektit pa TVSH. Shitësit e mallrave apo shërbimeve për kontraktorin, duhet të pasqyrojnë në faturën e shitjes Kodin Unik të Projektit të Agjencisë SASPAC si dhe numrin e Certifikatës së regjistrimit, Formulari 7A, që shërbejnë për evidentimin që këto blerje të kryera janë në funksion të realizimit të projektit nga ana e kontraktorit.

Lutem ndiqni video udhëzuesin bashkëlidhur për t’u informuar hap pas hapi për lëshimin e faturës: https://youtu.be/TpKauoOilu8?si=pNw614dQ_0aRc4ZY