Institucioni

Institucioni > Lajme > Lajme

Njoftim për përfundimin e zhvillimit të ri në sistem: “Paraplotësimi i deklaratës së TVSH-së”

Administrata Tatimore informon tatimpaguesit në lidhje me përfundimin e zhvillimit më të ri në sistemin E-filing: Paraplotësimi i deklaratës së TVSH-së.

Ky zhvillim efektiv, duke filluar nga periudha deklaruese prill 2025, lehtëson procesin e deklarimit elektronik të TVSH-së duke ofruar paraplotësimin e rubrikave të deklaratës me të dhënat e transaksioneve të regjistruara në librat e shitjes dhe blerjes nga sistemi i fiskalizimit.

Paraplotesimi i të dhënave në deklaratën e TVSH-së, pra transferimi i të dhënave në rubrikat përkatëse, kryhet vetëm pasi librat e shitjes dhe blerjes të jenë dorëzuar/transferuar automatikisht nga sistemi i fiskalizimit drejt sistemit E-filing. Ky proces ndodh si në rastin kur tatimpaguesi i mbyll librat në sistemin Selfcare përpara datës 10 të muajit pasardhës, ashtu edhe në rastin kur mbyllja dhe dërgimi i librave nga SelfCare drejt E-filing kryhet automatikisht në përfundim të afatit ligjor.

Të dhënat e paraplotësuara në deklaratën e TVSH-së janë të ndryshueshme dhe mund të korrigjohen nga tatimpaguesi.

Ndryshimi i librave sipas formatit Excel në sistemin E-filing, nuk do të reflektohet në ndryshim të të dhënave të paraplotësuara të deklaratës së TVSH-së, pra nuk ndryshon automatikisht rubrikat përkatëse të kësaj deklarate. Në këtë rast tatimpaguesi duhet që ndryshimet/saktësimet që ka kryer në librat e shitjes apo blerjes, t’i kryejë edhe në deklaratën e TVSH-së.

Kujdes!

Deklarata duhet të dorëzohet nga vetë tatimpaguesi brenda afatit ligjor të deklarimit dhe pagesës së TVSH-së, data 14 e muajit pasardhës të periudhës që po deklarohet.