Institucioni

Institucioni > Lajme > Lajme

Pyetje-përgjigje për Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, DIVA

1. Jam një pensionist shqiptar, i cili gjatë vitit 2024 kam të ardhura vetëm nga pensioni. Të ardhurat vjetore nga pensioni i kam në shumën 1,300,000 lekë. A kam detyrimin për të dorëzuar deklaratën e DIVA-s për vitin 2024?

Përgjigje: Për çdo shumë të ardhurash vetëm nga pensioni publik në Republikën e Shqipërise për vitin 2024, (pension i paguar nga skema e kontributeve të detyrueshme), bazuar dispozitave ligjore në fuqi, ju nuk keni detyrimin për të deklaruar dhe për të dorëzuar deklaratën e DIVA-s për këtë vit.

2. Jam një individ që dua të regjistrohem në sistem për të plotësuar Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave për vitin 2024 dhe doja të informohem se si duhet t’i vendos interesat bankarë në deklaratë?

Përgjigje: Për vitin 2024, përsa i përket të ardhurave nga interesat bankare duhet të plotësoni rubrikën 8, me shumën e të ardhurave bruto, Rubrikën 20 (tatimi i llogaritur) dhe Rubrikën 26 (tatimi i paguar).

3. Si mund të regjistrohet një shtetas i huaj për të plotësuar deklaratën individuale vjetore të të ardhurave?

Përgjigje: Individi i huaj që mbart detyrimin ligjor të dorëzimit të Deklaratës Individuale të të Ardhurave Vjetore duhet të paraqitet dhe të regjistrohet pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse, konkretisht pranë sporteleve të Shërbimit të Tatimpaguesit në Drejtorinë Rajonale.

4. Duke plotësuar Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave për vitin 2024, gabimisht kam krijuar edhe deklaratën vjetore të vitit 2023, 2022 dhe 2021, dhe sistemi më ka gjeneruar gjobë, por nuk kam detyrimin ligjor dhe nuk plotesoj kushtet për të deklaruar. A mund të më sqaroni si duhet te veproj?

Përgjigje: Ju duhet të dorëzoni deklaratat që keni gjeneruar. Ndërsa për penalitetet e rezultuara nga mosdeklarimi sqarojmë se autoriteti që shqyrton dhe heq penalitetet (sipas rastit) në bazë të dispozitave të ligjit 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në RSH”, i ndryshuar është Drejtoria e Apelimit Tatimor, pranë Ministrisë së Financave.

5. Personi që ka të regjistruar një biznes familjar në emër të tij, por është i punësuar dhe në një institucion shtetëror me pagë bruto 80,000 lekë në muaj, a duhet ta plotësojë dhe deklarojë DIVA për 2024?

Përgjigje: Në rast se, të ardhurat nga punësimi dhe/ose të ardhura të tjera personale të tatueshme e kalojnë vlerën 1,200,000 lekë në vit, individi duhet të plotësojë dhe deklarojë deklaratën e DIVA-s. Në të kundërt nuk e ka detyrimin për deklarim. Të ardhurat nga biznesi nuk janë pjesë e deklaratës individuale të vitit 2024.

6. Unë disponoj një apartament/ garsionere 35 metër katror dhe gjatë vitit 2025 ja kam lëshuar me qira një individi për 2 muaj në vlerën 45 mijë lekë. A kam detyrim të plotësoj deklaratën individuale vjetore të të ardhurave?

Përgjigje: Të ardhurat vjetore të vitit 2025, qoftë edhe vetëm nga qiraja duhet të deklarohen në vitin 2026. Për shumën vjetore të të ardhuave deri në 50,000 lekë, individi nuk ka detyrim të deklarojë dhe paguajë tatim.

7. A mund të ndryshohet që gjobat të gjenerohen vetëm në momentin e dorëzimit të deklaratave DIVA dhe jo në momentin e gjenerimit të tyre, pra individi të ketë mundesi t’i fshijë ato nëse i ka gjeneruar gabimisht dhe nuk ka një detyrim ligjor për deklarim?

Përgjigje: Individi dhe Drejtoria Rajonale Tatimore ku është i regjistruar individi nuk mund të heqin penalitetet e gjeneruara për deklarata të gjeneruara/dorëzuara me vonesë, pavarësisht se janë gjeneruar nga ana juaj gabimisht. Për heqjen e penaliteteve duhet t’i drejtohen Drejtorisë së Apelimit Tatimor pranë Ministrisë së Financave. Administrata Tatimore në vijim do të vlerësojë çdo kërkesë të tatimpaguesve si mundësi për zhvillimet e nevojshme teknike për zgjidhjen e kërkesave dhe ankesave të tatimpaguesve.

8. Jam një individ që të ardhurat vjetore nga paga i kam në shumën bruto 1,000,000 lekë dhe nuk kam detyrim për të dorëzuar DIVA. Kam 2 fëmijë nën moshën 18 vjeç. A duhet të përfitoj dhe unë nga zbritjet që ka parashikuar ligji? A është e mundur kjo dhe nëse jo pse?

Përgjigje: Referuar ligjit 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar nenet 22, 23 dhe 24 pika 1, i fillojnë efektet nga 1 Janar 2025. Për këtë arsye, individi aktualisht për vitin 2024 nuk mund të përfitojë zbritjet për fëmijë në ngarkim. Theksojmë se, në vijim Administrata Tatimore do të sqarojë se si do të veprohet për këtë kategori individësh për Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) të vitit 2025.

9. NË muajin mars në vitit 2024 , kam shitur një shtëpi me vlerë 150.000 euro, dhe kam paguar tatimin mbi shitjen e pasurisë së paluajtshme konform ligjit , pranë zyrave të ASHK. Po këtë vit në muajin shtator kam blerë një shtëpi me vlerë 180.000 euro. A duhet të deklaroj DIVA për vitin 2024?

Përgjigje: Përfitimiet e individit në këtë rast janë vetëm nga shitja e pasurisë. Nëse individi që për vitin 2024 ka përfituar të ardhura (fitim kapital) nga kalimi i të drejtës së pasurisë së paluajtshme nga shitja, më shumë se 1,200,000 leke, pavarësisht se ka paguar tatimin përpara kalimit të së drejtës së pasurisë së paluajtshme, është i detyruar të deklarojë këto të ardhura personale si dhe tatimin e paguar në Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA).

Megjithatë, detyrimi për deklarim të të ardhurave personale vjetore lind edhe nëse totali i të ardhurave personale bruto është në vlerën mbi 1,200,000 lekë nga të gjitha burimet apo llojet e të ardhurave të përcaktuara në legjislacionin tatimor.

10. Në vitin 2024 kam përfituar të ardhura nga platformat jashtë vendit, konkretisht nga platformat Meta, Facebook, youtube, Google etj? A duhet të dorëzoj deklaratën DIVA për vitin 2024? Nëse jam i detyruar për të kryer dorëzimin e kësaj deklarate, si kryhet plotësimi dhe deklarimi i saj?

Përgjigje: Një individ rezident në RSH, i cili përfiton të ardhura personale të tatueshme nga çdo burim brenda apo jashtë RSH, për të cilat nuk është paguar tatim gjatë vitit fiskal, është i detyruar të deklarojë këto të ardhura në Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) dhe të paguajë tatimin respektiv (nëse e ardhura personale për vitin 2024 është më shumë se 50,000 lekë/vit).

Nëse për të ardhurat personale të përfituara jashtë teritorit të RSH (në rastin e platformave META, Facebook, Youtube, Google etj.) është paguar tatim në vendin e burimit të këtyre të ardhurave, atëherë deklaruesi individ krediton tatimin deri në masën e tatimit të përcaktuar në legjislacionin tatimor në RSH.

Individi duhet të rregjistrohet në e-filing me të dhënat e tij individuale dhe të plotësojë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) 2024 duke deklaruar shumën e të ardhurave bruto të përfituara jashtë RSH (rubrika 13) tatimin e llogaritur (rubrika 20), tatimin e paguar mbi të ardhurat bruto të realizuara jashtë RSH (rubrika 32) ( nëse është paguar tatim jashtë Rsh) dhe kreditimin e tatimit të huaj (rubrika 33)