Institucioni

Institucioni > Lajme > Lajme

DIVA 2024, 31 marsi afati i fundit për dorëzimin e deklaratës

31 marsi është afati i fundit për dorëzimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale, DIVA 2024.
Administrata Tatimore rikujton individët rezidentë dhe jo rezidentë, që gjatë vitit 2024:

  • kanë pagë bruto vjetore mbi 1.2 milionë lekë;
  • janë të dypunësuar, të paktën për një periudhë tatimore brenda vitit;
  • realizojnë të ardhura nga burime të tjera mbi 50 mijë lekë në vit për të cilat nuk është mbajtur tatimi në burim,

të plotësojnë “Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale”, si detyrim ligjor i individit, subjekt i deklarimit.
Parashikohet që numri i deklaruesve të DIVA 2024 të jetë mbi 144 mijë individë, duke pasur parasysh që me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, me uljen e kufirit nga 2 milion në 1.2 milion, numri i deklaruesve pritet të jetë shumë më i lartë se vitet e mëparshme.
Administrata Tatimore njofton se deklarata DIVA 2024, gjenerohet e paraplotësuar automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.
Rubrikat e sipërpërmendura, megjithëse gjenerohen të paraplotësuara, do të vijojnë të jenë fusha të lira dhe të ndryshueshme, në mënyrë që deklaruesi të ketë mundësi t’i verifikojë dhe ndryshojë ato. Gjithashtu fushë e paraplotësuar do të jetë edhe vlera e paguar gjatë vitit përsa i takon Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.