Me hyrjen në fuqi të Ligjit 29/2023 “Për Tatimin mbi të Ardhurat” i ndryshuar dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, duke filluar nga periudha janar 2025, ndryshon deklarata e Tatimit të Mbajtur në Burim dhe të Ardhurave të tjera.
Deklarata e re në krahasim me të mëparshmen ka disa ndryshime, por llojet e të ardhurave për të cilat mbahet Tatimi në Burim nuk ndryshojnë, ndërkohë që deklarimi i të dhënave është analitik dhe i detajuar.
Sipas dispozitave ligjore të sipërpërmendura, Tatimi në Burim do të mbahet dhe deklarohet nga tatimpaguesi pagues në rast se kemi një pagesë të kryer ndaj përfituesit të të ardhurave që mbahen në burim duke vendosur datën e pagesës, si dhe në çdo rast do të vendoset shteti i rezidencës tatimore të përfituesit.
Deklarata e re ndahet në 2 (dy) seksione:
Tatimpagues rezident ose jorezident me seli të përhershme në Republikën e Shqipërisë;
Tatimpagues person fizik/entitet jorezident në Republikën e Shqipërisë.
Tatimpagues rezident ose tatimpagues jorezident me seli të përhershme në Republikën e Shqipërisë: Në këtë rast subjekti i cili bën deklarimin e pagesës, në secilën nga rubrikat përkatëse për të cilat është kryer pagesa, fillimisht zgjedh nëse përfituesi i pagesës është subjekt i regjistruar me NIPT (person fizik ose entitet) ose individ.
Nëse zgjedh individ, duhet të plotësohet numri personal i identifikimit – NID dhe sistemi do të plotësojë automatikisht të dhënat e individit sipas regjistrit të gjendjes civile. Në rast se NID-i është i gabuar apo nuk gjendet në regjistër, sistemi do të njoftojë që NID-i i vendosur nuk gjendet në regjistrin e gjendjes civile.
Nëse zgjedh subjekt i regjistruar, pra person fizik ose entitet, duhet të plotësohet NIPT i subjektit përfitues dhe sistemi do të plotësojë automatikisht të dhënat sipas regjistrit tregtar të tatimpaguesve. Në rast se NIPT-i është jo i saktë, sistemi do të njoftojë që NIPT-i i vendosur nuk gjendet në regjistrin e tatimpaguesve.
Në rast se për të njëjtin lloj Tatimi në Burim është paguar ndaj më shumë se një individi, personi fizik apo entiteti, nëpërmjet funksionalitetit “SHTO”/ “HIQ”, subjekti mund të deklarojë pagesat e kryera ndaj të gjithë përfituesve.
Përjashtim nga rregullat e mësipërme ka vetëm për pagesat për interesat bankare dhe institucionet e tjera financiare, rubrika 10, ku pagesat e kryera nga institucionet financiare bankare apo jobankare ndaj përfituesve do të deklarohen në vlerë totale të tyre.
Tatimpagues person fizik/entitet jorezident në Republikën e Shqipërisë: Në këtë rast subjekti i cili bën deklarimin e pagesës, në secilën nga rubrikat përkatëse për të cilat është kryer pagesa, fillimisht zgjedh nëse përfituesi i pagesës është subjekt i huaj i regjistruar (person fizik ose entitet) ose individ.
Nëse zgjedh individ, duhet të plotësohet manualisht numri personal i identifikimit si dhe të dhënat e individit: emër, mbiemër dhe shteti i rezidencës tatimore të individit të huaj. Në këtë rast sistemi nuk do të kryejë verifikime për të dhënat e plotësuara për të huajt.
Nëse zgjedh person fizik/entitet i regjistruar, duhet të plotësohet manualisht numri i identifikimit të subjektit të huaj si dhe të dhënat e entitetit, emri i subjektit dhe shteti i rezidencës tatimore. Në këtë rast sistemi nuk do të kryejë verifikime për të dhënat e plotësuara për subjektet e huaja.
Në rast se për të njëjtin lloj Tatimi në Burim është paguar ndaj më shumë se një individi, personi fizik apo entiteti, nëpërmjet funksionalitetit “SHTO”/ “HIQ”, subjekti mund të deklarojë pagesat e kryera ndaj të gjithë përfituesve.
Përjashtim nga rregullat e mësipërme ka vetëm për pagesat për interesat bankare dhe institucionet e tjera financiare, rubrika 42, ku pagesat e kryera nga institucionet financiare bankare apo jobankare ndaj përfituesve do të deklarohen në vlerë totale të tyre.
Afati i deklarimit dhe pagesës së Tatimit të mbajtur në Burim dhe të ardhurave të tjera mbetet i pandryshuar dhe është çdo datë 20 të muajit pasardhës të periudhës që po deklarohet.
Për çdo paqartësi apo më shumë informacion lidhur me mënyrën e plotësimit dhe deklarimit të listëpagesës, bashkëlidhur gjeni materialin udhëzues.