Institucioni > Lajme > Lajme
Finalizohet zhvillimi më i ri në self-care! Faturat elektronike të refuzuara nuk do të korrigjohen më në librin e blerjes
Administrata Tatimore njofton tatimpaguesit se në platformën qëndrore të fiskalizimit ka përfunduar zhvillimi i shfaqjes së faturave elektronike të refuzuara nga ana e blerësit, në librin e blerjes.
Ky zhvillim do të jetë efektiv me deklarimin e librave të periudhës nëntor 2024.
Nëpërmjet këtij zhvillimi, për rastet e faturave të refuzuara, pas transferimit automatik të librave në e-Filing nga blerësi nuk do te jetë më i nevojshëm korrigjimi i librit të blerjes në formatin excel.
Në portalin Self-Care shitësi do të njoftohet për çdo faturë elektronike të refuzuar nga blerësi, duke lehtësuar në këtë mënyrë kontrollin dhe verifikimin e faturave të refuzuara, me qëllim lëshimin e faturave korrigjuese/anulluese nga shitësi brenda periudhës së faturimit.
Skenarët e përfshirë në këtë zhvillim, që i japin zgjidhje mënyrës së shfaqjes në librin e blerjes së faturave të refuzuara nga ana e blerësit janë:
- Nëse subjekti shitës kryen anullimin e faturës elektronike, e cila është refuzuar nga subjekti blerës brenda periudhës (data 10 e muajit pasardhës), në të cilën është lëshuar fatura elektronike, këto dy fatura do të shfaqen si në librin e shitjes për shitësin ashtu edhe në librin e blerjes për blerësin, duke mos patur efekt në vlera dhe në deklarimin e TVSH-së për secilin nga tatimpaguesit.
- Për faturat elektronike të refuzuara nga blerësit, për të cilat shitësi nuk ka kryer anullim të tyre brenda periudhës në të cilën është lëshuar fatura elektronike (deri në datën 10 të muajit pasardhës), në librin e blerjes të subjektit blerës, automatikisht në momentin e mbylljes së librave nga sistemi do të gjenerohet një rekord anullues me të njejtat të dhëna si fatura e refuzuar dhe në vlerë negative. Ky veprim automatik i sistemit do të pasqyrojë në mënyre korrekte vlerën e deklarimit të TVSH-së për blerësin për faturat e refuzuara.
Fatura e shitjes (e refuzuar nga blerësi) e cila nuk është anulluar nga subjekti shitës do të shfaqet normalisht në librin e tij të shitjes.
- Në rast se subjekti shitës kryen anullimin e faturës elektronike të refuzuar në një periudhë më të vonë se periudha e lëshimit të faturës (pas datës 10 të muajit pasardhës), atëherë në librin e blerjes së subjektit blerës, përveç shfaqjes së kësaj fature të re, automatikisht në momentin e mbylljes së librave nga sistemi, do të krijohet një rekord pozitiv me të njëjtat detaje të kesaj fature të lëshuar nga shitësi. Ky veprim automatik i sistemit do të pasqyrojë në mënyrë korrekte vlerën e deklarimit të TVSH-së për blerësin.
Kujdes!
Është e nevojshme të mbahet në vëmendje nga çdo tatimpagues, kryerja dhe pasqyrimi i transaksioneve (korrigjim/anullim fature) në mënyrë korrekte, pasi kjo kategori veprimesh do të konsiderohet si një proces që mbart një risk të lartë dhe do të përbëje arsye për analiza dhe monitorim të thelluar të subjektit tatimpagues.