Në çelje të sezonit turistik, sot u mbajt në Vlorë takimi nformues dhe ndërgjegjësues me përfaqësues të subjekteve nga sektori i bar – restoranteve, në kornizën e planit sektorial të Menaxhimit të Riskut.
Përfaqësues të Administratës Tatimore bënë me dije qëllimin e takimit, ndërsa u bashkëbisedua për të gjitha çështjet që shqetësojnë biznesin, në një klimë konstruktive ndërveprimi. Të pranishmit vlerësuan këtë qasje të Administratës Tatimore ndaj tyre, duke e çmuar të rëndësishëm investimin për edukimin e tatimpaguesit dhe ndërgjegjësimin, me vetëdijen se të gjithë kanë detyrmin e respektimit të ligjit, para të cilit duhet të ndjehen të barabartë.
Qëllimi i zhvillimit të këtyre takimeve është ndërgjegjësimi i tatimpaguesve për të vetëdeklaruar në mënyrë korrekte si dhe nxitja dhe inkurajimi i tyre për të reaguar pozitivisht në përmbushjen e detyrimeve tatimore.
Plani i Menaxhimit të Riskut në sektorin e bar – restoranteve, po zbatohet që prej dy muajsh në të gjithë vendin, duke vendosur një praktikë të re komunikimi të administratës tatimore me tatimpaguesin. 12 mijë subjekte janë informuar në mënyrë të personalizuar, duke u bërë me dije elementët që venë në pah deklarime jo të sakta nga ana e tyre.
Ky plan sektorial i ndërtuar dhe asistuar nga FMN, sjell në Shqipëri praktikën bashkëkohore të trajtimit të riskut, me synim ndërgjegjësimin e tatimpaguesve për të ndryshuar sjellje në mënyrë të qëndrueshme drejt deklarimit real të detyrimeve.
Takime të tilla janë mbajtur edhe në Durrës, Berat, Lezhë, Kukës, Korçë, Elbasan, Tiranë, Sarandë dhe Gjirokastër, ku kanë marrë pjesë tatimpagues që operojnë në këtë sektor.
Ndërsa vijon procesi i informimit dhe ndërgjegjësimit, administrata tatimore monitoron reflektimin e ndryshimeve në deklarimet e tatimpaguesve. Monitorimi i deklarimeve do të vijojë të bëhet automatikisht nga sistemi kompjuterik, i cili filtron të dhënat mbi bazën e analizës së riskut. Kjo praktikë përjashton çdo mundësi manipulimi apo keqpërdorimi të tagreve ligjore të punonjësve të administratës tatimore. Qëllimi ynë në këtë fazë nuk është të penalizojmë, por të bindim tatimpaguesit përmes fakteve, që ata vetë të ndërgjegjësohen dhe të pasqyrojnë me vërtetësi aktivitetin e tyre.