Institucioni

Institucioni > Lajme >

Adriatik Mateli i nominuar për Çmimin vjetor “Eqrem Çabej”

“Sistemi Tatimor në Shqipëri (shek. XV – vitet ‘12 shek XXI)”, është monografia e nominuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë  për Çmimin vjetor “Eqrem Çabej” për veprat më cilësore origjinale monografike në shkencat shoqërore dhe albanologjike.

Adriatik Mateli  autor i kësaj monografie është punonjës i vyer i Administratës Tatimore që prej vitit 1991, i njohur në fushën e ekonomisë dhe i specializuar për sistemin tatimor,  Magjistër i Shkencave Ekonomike, trainer i trainerëve të administratës tatimore dhe pedagog.  

Adriatik Mateli ka sjellë këtë studim të rrallë, shumëvlerësh, i cili përmbledh një punë voluminoze në kërkim, arsyetim dhe kontekst historik të zhvillimit të “Sistemi Tatimor në Shqipëri - nga shekulli i XV e deri në vitet ’12 të  shekullit të XXI”.

Autori Adriatik Mateli,  është shprehur se kjo monografi ka ardhur si përmbushje e një detyrimi që ndjente për të plotësuar boshllëkun e krijuar që nga botimi i librit “Financat e Shqipnisë”, të autorit Haxhi Shkoza, rreth 70 vjet me parë.

Prof. In. Alqi Naqellari vlerëson në parathënien e librit se kjo Monografi përbën një gur të çmuar në literaturën ekonomike të fushës së Tatimeve, në ndihmë të studentëve, pedagogëve, punonjësve të tatimeve, trajnuesve, historianëve dhe lexuesit të interesuar.

Administrata Tatimore përgëzon dhe është krenare për këtë kontribut, që z.Mateli sjell në lëminë e dijes historike dhe ekspertizës në fushën e tatimeve.