Institucioni

Institucioni > Lajme >

Administrata Tatimore Tatimpaguesve - Letra që keni marrë ju sinjalizon për problemet, që duhet të korigjoni!

I nderuar tatimpagues nga sektori i bar-restoranteve -  Secili prej jush që ka marrë një letër të personalizuar, ka të listuar faktorët e riskut, të identifikuar sipas deklarimeve tuaja. Ju bëjmë me dije se tani është momenti për të reflektuar ndaj atyre treguesve,  të cilët analiza e riskut i konsideron të papërmbushur, në zbatim të ligjit.

Kjo praktikë e re e ndërveprimit me tatimpaguesit, e asistuar ngushtësisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, mbështetet në vlerësimin analitik të të dhënave tuaja, të cilat konsiderohen jo të sakta dhe kanë nevojë për përmirësim. Ndërkohë që ju keni marrë këtë njoftim, secili sipas specifikave të veta, administrata tatimore po monitoron reagimin tuaj në ndryshimin e këtyre të dhënave.

Monitorimi i deklarimeve tuaja do të vijojë të bëhet automatikisht nga sistemi kompjuterik, i cili filtron të dhënat mbi bazën e analizës së riskut. Kjo praktikë përjashton çdo mundësi manipulimi apo keqpërdorimi të tagreve ligjore të punonjësve të administratës tatimore.  Qëllimi ynë në këtë fazë nuk është të penalizojmë, por t’ju bindim përmes fakteve, që ju vetë të ndërgjegjësoheni dhe të pasqyroni me vërtetësi aktivitetin tuaj.

Ky komunikim përmes letrës së personalizuar që ju ka mbërritur tashmë, përmbyll fazën e parë të Planit Sektorial të bar- restoranteve, i cili do të vijojë me dy faza të tjera, sipas skedulit të miratuar në bashkëpunim me FMN-në.

Ndërkohë 85 inspektorë të shërbimit të tatimpaguesve dhe të kontrollit nga zyra, janë trainuar mbi specifikat e punës së tyre, në kuadër të këtij plani operacional. Këta inspektorë do të trajtojnë tatimpaguesit me risk të mesëm e të lartë.  Kjo praktikë pune synon që përmes vlerësimit analitik të të dhënave të subjekteve dhe intervistave të thelluara me tatimpaguesit e riskut të mesëm e të lartë, të arrihet ndryshimi i deklarimeve të tyre drejt përmbushjes vullnetare.

Për çdo sqarim dhe asistencë që mund të keni nevojë, mos hezitoni të na kontaktoni në numrin e gjelbër 0800 0002  ( 8:30 – 18:00, nga e Hëna në të Enjte, dhe 08.30-16:00 ditën e Premte), apo pranë çdo sporteli shërbimi të tatimeve, më pranë jush.