Institucioni

Institucioni > Lajme >

Takim me DHTIT: Lufta ndaj informalitetit kërkon angazhim të përbashkët

Njoftim për shtyp - 8 Nëntor 2016

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Znj.Vasilika Vjero dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në kuadër të Fazës së dytë të luftës kundër informalitetit organizuan një takim në ambjentet e Hotel “Tirana International” më 7.11.2016. Ky takim kishte si qëllim forcimin e bashkëpunimit midis Administratës Tatimore dhe komunitetit të biznesit në përpjekjet e përbashkëta kundër informalitetit. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve shoqërohej në këtë takim nga stafet teknike të Administratës Tatimore qëndrore dhe rajonale.

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Znj.Vasilika Vjero, pasi përshëndeti DH.T.I.Tiranë për organizimin e takimit, u shpreh se dëshira për të bashkëpunuar në një luftë të përbashkët kundër informalitetit është një ftesë e hapur në kohë. “Përpjekjet e Administratës Tatimore nuk janë më kaotike, por të udhëhequra nga metodologji dhe praktika moderne ndërkombëtare. Ato janë ndërtuar me asistencën e FMN-së dhe të pritura pozitivisht nga aktorë të rëndësishëm. Praktika e filluar me përdorimin e Analizës së Riskut si një udhërrëfyes të drejtë ndaj evazionistëve dhe shmangësve të detyrimeve tatimore, po jep rezultate që po ndikojnë ndjeshëm edhe në mbledhjen e të ardhurave nga ana e Administratës Tatimore. Rezultatet e këtij viti e vërtetojnë këtë fakt të rëndësishëm”- theksoi ndër të tjera Drejtori i Përgjithshëm.

Në fjalën e tij z.Nikolin Jaka, kryetar i DHTIT, falenderoi Drejtorin e Përgjithshëm dhe stafet e Administratës Tatimore për gatishmërinë e treguar në mbajtjen gjallë të dialogut me tatimpaguesit dhe në mënyrë të veçantë me antarët e DHTIT. Ai u shpreh se lufta kundër informalitetit kërkon një partneritet të vazhdueshëm administratë – biznese, pasi përfituesit e vetëm janë shoqëria dhe bizneset që respektojnë ligjin.

Analiza e Riskut, si një sistem orientues për Administratën Tatimore, është një mjet edhe në dobi të tatimpaguesve, për ti orientuar ata në një qasje sa më të pajtueshme me ligjet fiskale.

Takimi u zhvillua ne frymën e një diskutimi pozitiv midis pjesmarrësve, ku u diskutuan probleme që ndeshen në praktikat e përditshme siç ishin sjelljet e bizneseve të vogla kryesisht, në mos marrjen e faturave në blerjet e mallrave, duke prurë një shtrëmbërim të skemave fiskale, mos informimi në kohë për ndryshimet ligjore, mospërdorimet e pajisjeve fiskale, etj.

Pjesmarrësit ranë dakort që takime të tilla të intensifikohen në të ardhmen e të orientohen drejt problemeve të qarta teknike që kërkojnë zgjidhje nga palët.