Institucioni

Institucioni > Lajme >

Sezoni turistik: Administrata tatimore monitoron edhe platformat e akomodimit online

Si çdo vit, në prag të çeljes së sezonit turistik, Administrata Tatimore sjell në vëmëndje të individëve që ofrojnë akomodime, si edhe të subjekteve me aktivitet sezonal në zonat turistike e bregdetare, që të respektojnë detyrimin e tyre ligjor për t’u riaktivizuar dhe për të deklaruar.

Gjatë periudhës 15 – 26 prill 2019, adminstrata tatimore ka identifikuar në rang kombëtar, 564 subjekte apo individë, të cilët ofrojnë struktura akomoduese, nëpërmjet platformave online si Booking.com, Air Bnb, etj.   

Deri tani janë kontaktuar 275 individë, si kujtesë për të regjistruar aktivitetin që kryejnë, ndërsa vazhdon informimi ndërgjegjësues për të gjithë personat apo subjektet e identifikuar.  

Ju kujtojmë se informacioni i reklamuar në faqet e mësipërme të internetit, është në monitorim nga administrata tatimore, me qëllim identifikimin e atyre individëve, të cilët ushtrojnë këtë aktivitet pa qenë të regjistruar sipas dispozitave të Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Proçedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Ndërkohë sportelet e Shërbimit të tatimpaguesve në të gjithë vendin, ofrojnë informacionin dhe asistencën e duhur, për kategoritë e individëve dhe subjekteve të sipërpërmendura. Për të lehtësuar komunikimin në marrjen e një informacioni më të shpejtë, Qendra e Thirrjeve e Administratës Tatimore është në shërbimin tuaj, përmes numrit të gjelbër 0800 00 02.