Pak ditë pas shpalljes së Planit të ri për Menaxhimin e Riskut në bare dhe restorante (datë 17 Prill), publiku ka reaguar pozitivisht, duke sjellë pranë Administratës Tatimore denoncime konkrete të rasteve të shkeljes së ligjit.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i kujton tatimpaguesve që të mos përdorin printera jofiskalë në vend të faturave tatimore, ndërsa inkurajon qytetarët që të mos i pranojnë ato.
Risjellim në vëmendje se përdorimi i printerave jofiskalë është shkelje e legjislacionit tatimor dhe për tatimpaguesit që konstantohen, penalizimi shkon nga konfiskimi i mallrave gjendje e deri në kallëzim penal ndaj tatimpaguesit që kryen shkeljen.
Duke falenderuar publikun për mbështetjen, DPT nxit qytetarët që të vazhdojnë të denoncojnë rastet abuzive në numrin e gjelbër pa pagesë 0800 14 14, në adresën elektronike denoncime@tatime.gov.al, si dhe mesazhe, foto apo filmime në numrin 069 70 73 733.