Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bazuar në ligjin nr.9920 datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në RSH, i ndryshuar, si dhe udhëzimi nr. 10, datë 15.03.2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 24, datë 02.09.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, njofton se moslëshimi i faturës tatimore, dëftesës tatimore apo і faturës tatimore me TVSH dënohet me gjobë të barabartë me 100% të tatimit të padeklaruar, si rezultat i moslëshimit të faturës, përveç tatimit dhe kamatëvonesave që llogariten dhe paguhen në përputhje me dispozitat e ligjit për procedurat tatimore apo të ligjeve specifike tatimore.
Ndryshimi ligjor parashikon lehtësi për tatimpaguesin, nëse pranon vlerësimin tatimor dhe e paguan detyrimin. Në këtë rast, gjoba zbritet me 30%.
Administrata Tatimore do të kryejë zbritjen e gjobës pas paraqitjes së kërkesës me shkrim, së cilës i bashkëlidhet edhe mandati i pagesës nga tatimpaguesi pranë DRT-së përkatëse.
DPT sjell në vëmendje se kjo lehtësi zbatohet vetëm për dënimet me gjobë në rastet e kundërvajtjeve në lëshimin e faturave tatimore, dëftesave tatimore dhe dokumentimin e transaksioneve.