Institucioni

Institucioni > Lajme >

Përjashtimi nga TVSH-ja e inputeve bujqësore, lehtësi fiskale për fermerët

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton të gjithë fermerët se, bazuar në vendimin nr. 12, datë 09.01.2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, furnizimi i inputeve bujqësore është i përjashtuar nga TVSH-ja.

Me ndryshimet ligjore të Paketës Fiskale që kanë hyrë në fuqi në janar 2019, kategorizohet si furnizim i përjashtuar nga TVSH-ja, furnizimi i inputeve bujqësore, siç janë: plehrat kimike, pesticidet, farat dhe fidanët. Ky përjashtim përcaktohet në nenin 51, gërma “nj)”, të ligjit nr. 92/2014, datë 24.07.2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në RSH”, i ndryshuar.

Përjashtimi nga TVSH-ja e inputeve bujqësore iu krijon mundësi shoqërive të importit dhe tregtimit të tyre, të ulin me të njëjtin masë çmimet e shitjes tek fermerët. Mosreflektimi i përjashtimit nga TVSH-ja për inputet bujqësore, në reduktimin e çmimit të shitjes së tyre nga ana e shoqërive të tregtimit, është në dëm të fermerëve.

Kjo lehtësi fiskale i ndihmon prodhuesit bujqësorë (fermerët), të reduktojnë kostot e aktivitetit bujqësor, si dhe të rrisin investimet në bujqësi, si një nga sektorët prioritarë të ekonomisë së vendit.

DPT sjell në kujtesë, se lista e kategorive të inputeve bujqësore, furnizimi i të cilave është i përjashtuar nga TVSH-ja, gjendet në “Aneksin 4” që i bashkëlidhet vendimit të sipërcituar. Për informacion më të detajuar mbi llojet, emrat dhe kodet e inputeve mund të klikoni në link: https://www.tatime.gov.al/c/6/71/tatimi-mbi-vleren-e-shtuar