Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve njofton të gjithë tatimpaguesit se është publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 32, datë 15 mars 2019, udhëzimi i Ministrit të Financave dhe Ekonomisë nr. 6, datё 25.2.2019 “ Për funksionet, autoritetin dhe përgjegjësitë e Avokatit të Tatimpaguesve, procedurat që do të zbatohen prej tij në mbrojtje të interesave të tatimpaguesve, si dhe procedurat që duhet të ndiqen nga tatimpaguesit, për të përfituar mbrojtjen e të drejtave të tyre nga Avokati i Tatimpaguesve”.
Në këtë udhëzim ndër të tjera, përcaktohen rregullat e procedurat që duhet të ndiqen nga Avokati i Tatimpaguesve dhe tatimpaguesit për zbatimin e nenit 105/2, të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të vendimit nr. 648 të Këshillit të Ministrave, datë 28.7.2010, “Për Avokatin e Tatimpaguesve”, të ndryshuar.
Avokati i Tatimpaguesit është strukturë e pavarur në vendimmarrje, në përbërje të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Hapat që duhet të ndjekin tatimpaguesit për shqyrtimin e çështjeve nga Avokati i Tatimpaguesve:
- Çdo tatimpagues, grup tatimpaguesish, shoqata apo institucione që mbrojnë interesat e tatimpaguesve, pretendojnë për shkelje të të drejtave dhe të interesave të ligjshme, qofshin këto individuale apo të përbashkëta të tatimpaguesit apo tatimpaguesve, me veprime të paligjshme apo të parregullta të administratës tatimore qendrore ose me mosveprime të saj, kanë të drejtë të ankohen ose të njoftojnë Avokatin e Tatimpaguesve dhe të kërkojnë ndërhyrjen e tij për rregullimin e situatës, në lidhje me një të drejtë të shkelur apo të mohuar.
- Për ankesat, kërkesat dhe njoftimet drejtuar Avokatit të Tatimpaguesit nuk kërkohet ndonjë formë apo format i caktuar. Ato duhet të shprehin qartë objektin e ankimit ose të kërkesës. Nëse disponohen, dokumente, fakte dhe prova, të cilat mendohet se mbështesin objektin e ankimimit, ato duhet t’i bashkëngjiten ankesës së drejtuar Avokatit të Tatimpaguesve.
- E drejta për t’u ankuar tek Avokati i Tatimpaguesve lind vetëm pasi të jetë konsumuar një herë me shkrim e drejta për t’u ankuar te drejtoria rajonale përkatëse apo drejtoritë funksionale brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilat kanë nën juridiksion shqyrtimin/administrimin e procedurës së kontestuar nga ankimuesi.
- Avokati i Tatimpaguesve duhet të ruajë konfidencialitetin për informacionin e dhënë nga ankimuesi, duke mos e paraqitur atë të plotë te drejtoria rajonale me të cilën lidhet ankimimi, për sa e gjykon të arsyeshme, si dhe nëse kjo kërkohet nga personi që bën ankesën, kërkesën apo njoftimin.
- Administrimi i kërkesave, njoftimeve apo ankesave të mbërritura tek Avokati i Tatimpaguesve bëhet nëpërmjet një programi kompjuterik, i cili në çdo kohë mund të japë informacion në lidhje me ankuesin, objektin e ankimit, ecurinë e trajtimit nga Avokati i Tatimpaguesve, që nga marrja në shqyrtim e deri te mbyllja e çështjes me shënimet përkatëse të arsyeve dhe rezultateve të mbylljes.
- Në asnjë rast ankimi, kërkesa apo njoftimi i depozituar pranë Avokatit të Tatimpaguesit nuk e pezullon procedurën e shqyrtimit nga ana e drejtorive rajonale apo drejtorive funksionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për çështjet që janë objekt i ankimit, kërkesës apo njoftimit dhe as procedurën e ekzekutimit të akteve që kanë dalë nga administrata tatimore për ato çështje.
- Çdo shërbim që ofrohet nga Avokati i Tatimpaguesve është pa pagesë.
KUJDES!
Avokati i Tatimpaguesve nuk është i autorizuar:
- të hetojë apo të ndërhyjë në rastet, për të cilat tatimpaguesi është hetuar nga Drejtoria e Hetimit Tatimor apo nga Drejtoria e Investigimit të Brendshëm.
- të investigojë apo të ndërhyjë në procesin e përcaktimit të detyrimit tatimor apo për raste, të cilat janë në proces
Avokati i Tatimpaguesve nuk është hallkë e rishikimit administrativ tatimor dhe as nuk e zëvendëson atë.
Kontaktimi i Avokatit të Tatimpaguesit për asistencë, nuk e pezullon afatin kohor, brenda të cilit mund të paraqitet një apelim.
Udhëzimi nr.37, datë 05.11.2010 “Për funksionet, përgjegjësitë dhe procedurat që do të zbatohen nga Avokati i Tatimpaguesve dhe procedurat që do të ndiqen nga tatimpaguesit”, shfuqizohet.