Institucioni

Institucioni > Lajme >

DPT takim me ATK-në për thellimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve homologe

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve z.Xhavit Çurri priti në një takim zyrtar delegacionin e nivelit të lartë të Administratës Tatimore të Kosovës të kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm z.Ilir Murtezaj.

Ky  takim u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave mes dy administratave homologe.

Gjatë fjalës së tij Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve z.Xhavit Çurri bëri një prezantim të shkurtër të ecurisë së punës së Administratës Tatimore, si dhe theksoi reformat që po ndërmerren për zbatimin e praktikave më të mira ndërkombëtare.

“Bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme  të Tatimeve dhe Administratës Tatimore të Kosovës ka qenë tejet pozitiv në fushën e shkëmbimit të informacionit dhe ne do të vijojmë të ndjekim këtë qasje me qëllim rritjen e mëtejshëm të bashkëpunimit” tha gjatë fjalës së tij z.Çurri.

Nga ana e tij Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, z. Murtezaj, në emër edhe të delegacionit që e shoqëronte, i konsideroi të shkëlqyera raportet mes dy administratave, ndërsa vlerësoi vullnetin për rritjen e mëtejshme të shkëmbimit të informacionit dhe përvojave tatimore. 

Bazuar edhe në marrëveshjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, të dyja administratat tatimore janë duke vijuar punën për vlerësimin e nevojave për trajnime të përbashkëta, çka do të ndihmonte në rritjen e kapaciteteve profesionale të burimeve njerëzore.

Gjatë vizitës, drejtuesit e ATK-së patën mundësi të vizitonin mjediset e Qendrës së Thirrjeve, si dhe ato të Drejtorisë së Shërbimit të Tatimpaguesve Tiranë, ku u njohën me mënyën sesi po informohen dhe asistohen tatimpaguesit.