Drejtoria Rajonale Tatimore Kukës zhvilloi një takim informues ku u prezantuan ndryshimet ligjore të Paketës Fiskale 2019. Në të morën pjesë rreth 50 ekonomistë dhe ekspertë kontabël, të cilët përfaqësojnë pjesën më të madhe të tatimpaguesve të këtij rajoni.
Përfaqësuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve referuan për pjesëmarrësit ndryshimet kryesore në legjislacionin tatimor, që kanë të bëjnë kryesisht me Procedurat Tatimore, Tatimin mbi të Ardhurat, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe Taksat Kombëtare.
Drejtori i DRT Kukës z. Albert Halilaj gjatë fjalës së tij, tha se tatimpagusit e këtij rajoni, në çdo kohë mund të marrin informacionin dhe asistencën e nevojshme për të kuptuar sa më mirë ndryshimet ligjore që kanë hyrë në fuqi. Gjithashtu biznesi vijon të informohet edhe në vendet e ushtrimit të aktivitetit të tyre nga punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesve, të cilët shpërndajnë broshura dhe materiale informuese.
Nga ana e përfaqësuesve të biznesit u vlerësua angazhimi profesional i Administratës Tatimore për të informuar mbi çështje të veçanta ligjore që prekin zhvillimin e sipërmarrjes së tyre, për të cilat u bënë edhe propozime konkrete.