Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj zhvilloi një takim informues për prezantimin e ndryshimeve në legjislacionit tatimor në kuadër të Paketës Fiskale 2019. Në të morën pjesë rreth 360 konsulentë fiskalë, ekonomistë dhe ekspertë kontabël, të cilët përfaqësojnë pjesën më të madhe të tatimpaguesve të mëdhenj.
Prezantimi i këtyre ndryshimeve, u bë në formë bashkëbisedimi nga ekspertët e DPT-së si dhe nga Drejtoresha e Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj znj.Enkeleida Pipa, e cila gjatë fjalës së saj falënderoi përfaqësuesit për pjesëmarrjen dhe interesimin e lartë që treguan.
“Qëllimi i këtij takimi është njohja me këto ndryshime, zbatimi sa më korrekt dhe informimi i duhur i tatimpaguesve. DTM në çdo kohë, përmes strukturave të saj do të jetë e gatshmë të ofrojë asistencë profesionale, në mënyrë që të gjitha ndryshimet ligjore të kuptohen sa më drejtë”, tha znj. Pipa. Ajo i ftoi përfaqësuesit e tatimpaguesve të mëdhenj që të përdorin të gjitha kanalet e komunikimit të vëna në dispozicion nga ana e administratës tatimore, për t’u njohur me ndryshimet në legjilacionin tatimor dhe për t’i zbatuar ato sa më drejtë.
Përfaqësuesit e tatimpaguesve të mëdhenj, nga ana e tyre vlerësuan qasjen profesionale që po tregon Administrata Tatimore për informimin e Paketën Fiskale 2019, si dhe paraqitën propozimet e tyre konkrete.
Paketa Fiskale 2019, ka si objektiv përmirësimin e administrimit në mbledhjen e të ardhurave, reduktimin e kostove të përmbushjes tatimore, si nga biznesi, ashtu edhe nga administra, por edhe nxitjen e deklarimeve dhe pagesave në kohë.
Kjo paketë synon lehtësimin e procedurave tatimore, stimulimin e zhvillimit të disa sektorëve, si : bujqësisë, turizmit, energjetikës, inovacionit etj.; reduktimin e evazionit fiskal dhe shmangies tatimore, si dhe lehtësimin e komunikimit kryesisht në rrugë elektronike, si me institucionet e linjës, ashtu edhe me tatimpaguesit.
Në vazhdimësi Administrata Tatimore do të njohë tatimpaguesit në mënyrë më të detajuar me ndryshimet në udhëzime që kanë hyrë tashmë në fuqi.